Saimir Tahiri, me anë të një shkrese, i ka paraqitur edhe formalisht Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dorëheqjen e tij nga madati i deputetit. Në letrën shkruhet se “për arsye që tashmë i kam bërë publike, kërkoj prej jush të ndiqni procedurat ligjore të parashikuara nga ligji për dorëzimin e mandatit tim si deputet i Kuvendit të Shqipërisë”.
Pas kësaj, i takon Kuvendit të Shqipërisë që të njoftojë Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për krijimin e vakancës brenda 30 ditësh dhe më pas vijohet me zëvendësimin deri në betimin e deputetit pasardhës në Kuvend.
Cilat janë hapat ligjorë konkretë e procedurialë që duhen hedhur për të shkuar tek zëvendësimi i Saimir Tahirit si deputet i listës së PS të Qarkut të Tiranës, me kandidatin e radhës siç parashikohet në rastet e vakancave të tilla?
Sipas nenit 164 të Kodit Zgjedhor, për ndërprerjen e madatit dhe zëvendësimin e vakancës ndiqen këto hapa:
1. Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës. Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.
2. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar.
3. KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listën e kandidatëve të regjistruar sipas nenit 67 të këtij Kodi. Vendimi i njoftohet kandidatit dhe botohet në Fletoren Zyrtare. Nëse kandidati i radhës nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit vijues të listës, sipas procedurës së parashikuar në pikën 1 ose 2 të këtij neni. E njëjta procedurë vazhdon deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike.
4. Në rast kur është shteruar lista e kandidatëve të partisë politike, anëtare e një koalicioni, mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë. Kur mandati i ndërprerë i përket një kandidati të propozuar nga zgjedhësit, mandati i kalon subjektit zgjedhor me herësin më të lartë. Kur mandati i takon një koalicioni zgjedhor, ai i shpërndahet partisë pjesëtare të koalicionit me herësin më të lartë.
Në listën e kandidatëve për deputetë të PS për qarkun e Tiranës, radha siç është bërë tashmë publike është Spartak Braho, ish deputet, aktualisht këshilltar pranë Kryeministrit Edi Rama.
Përgatiti: Alpenews.al


