Shkenca na befason dita ditës me shpikjet inovatore që duhet thënë na kanë lehtësuar jetën. Nëse deri pak më parë korrigjimi me rreze lazer ishte teknika më e përparuar për t’i shpëtuar syzeve optike, ju themi se një epokë e re pritet të nisë së shpejti dhe kjo falë pikave në sy.
Studiuesit izraelitë thonë se solucioni me pika “nano” arrin të përmirësojë shikimin, pa patur absolutisht nevojë për syze. Solucioni sintetik me grimcat nano shërben për të mbushur prerjet e krijuara mbi kornean e syrit, në mënyrë që të korrigjohen zhvendosjet e dritës në momentin që ajo do të godasë retinën.
“Çështja është të gjesh një rrugë përmes së cilës mund të modifikosh trajektoren e dritës përmes pikave në sy. Kjo realizohet jo duke ndryshuar formën, siç ndodh me syzet apo ndërhyrjen me lazer, por duke modifikuar indeksin e këndit të dritës mbi kornean. Pra ne mund të luajmë me dritën dhe të ndryshojmë drejtimin e saj duke e përqëndruar sa më shumë.” tha David Smadja, drejtor në qendrën mjekësore Shaare Zedek.
Është menduar që procedura të kryhet kryesisht në shtëpi, përmes një aplikacioni në celular, i cili mat numrin e pikave që duhen për një shikim të qartë.
Provat fillestare u bënë në sytë e derrave, ku u vu re se pikat rezultuan të suksesshme në korrigjimin e problemeve të shikimit për pak orë. Shkencëtarët shpresojnë që teknika në fjalë të vihet në përdorim brenda vitit të ardhshëm.
Burimi: The Jerusalem Post


