Xhuljano Sollaku ishte i riu nga Elbasani, i cili mbeti i vrarë nga policia gjatë një grabitje në Fier.
20-vjeçari, djalë i vetëm i familjes Sollaku, më 23 mars shkoi bashkë me tre shokët e tij për të grabitur një familje në Fier, por sinjalizimi nga ana e të zotit të shtëpisë solli përplasjen e policisë me grabitësit, ku mbeti i vrarë 20-vjeçari dhe u plagos një tjetër.
Kur kanë kaluar afro 1 muaj e gjysmë, motra e tij e ka zemrën të copëtuar dhe të mbushur me dhimbje për humbjen e vëllait. Trishtimi, zija dhe dhimbja ka pllakosur familjen Sollaku nga Elbasani…
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, e motra e Xhuljanos ka përlotur dhe prekur zemrat me dedikimin për vëllain: “Vëllai është miku i njëmendë, i cili duhet ruajtur dhe dashur përjetë”.
Menjëherë, kanë nisur komentet ngushëlluese, ku nuk mungon edhe ajo e ish-të dashurës së Xhuljanos, Kristinës, kujën e së cilës kur mori vesh se Xhuljano nuk jeton më, e mori vesh i madh i vogël.
Pa fjalë, por me lot në sy, Kristina tashmë jeton vetëm me kujtimet e lidhjes së dashurisë që pati me Xhuljanon.
Ngjarja
Xhuljano Sollaku bashkë me miqtë e tij kishin shkuar për të grabitur në një familje në Fier.
Burime pranë grupit hetimor pohuan se të pestë grabitësit kanë qenë duke hapur derën e çiftit Minella Muçi, madje kanë tentuar të hapin edhe derën e një fqinji tjetër. Në momentin kur policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, pranë hyrjes së pallatit ku jeton çifti i të moshuarve Muçi, të pesë grabitësit kanë zbritur me vrap shkallët dhe kanë shtënë me armë zjarri ndaj policisë. Arben Muça ka zbritur në trotuar dhe ka qëlluar me kallashnikov drejt policisë, duke mundësuar largimin e tre prej pesë grabitësve. Kur 35-vjeçari është plagosur dhe ka rënë në tokë, ka qenë Xhuljan Sollaku që ka mbuluar shokët e tij duke qëlluar kundër policisë.
Por, gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, Sollaku ka mbetur i vdekur në vend. Duke përfituar nga mbulimi i dy shokëve të tyre, tre grabitësit e tjerë kanë mundur të largohen me një automjet tip “Fuoristradë”, ndërkohë që fatmirësisht në radhët e policisë nuk ka pasur të lënduar. Burimet e mësipërme thanë se pavarësisht se ka persona që dyshohet që kanë dijeni mbi ngjarjen, ende nuk janë arritur të sigurohen prova konkrete për të dyshuar të tjerë si të implikuar. Dyshohet se të paktën një prej grabitësve ka qenë nga qyteti i Fierit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se autorët e tentativës së vjedhjes me armë të mëngjesit së të premtes në Fier kanë pasur informacione se në banesën e Minella Muçit mund të kishte një sasi të konsiderueshme parash (rreth 1 milion euro). Ndërkohë, nga rindërtimi i dinamikës së ngjarjes dhe këqyrjes së provave të sekuestruara në vendngjarje janë ngritur dyshimet se autorët kanë qenë hajdutë profesionistë. Në vendngjarje hajdutët kanë braktisur një çantë me veglat që kanë përdorur për të hapur një prej bravave të derës së banesës së Minella Muçit. Në këtë çantë janë gjetur një çelës papagall, një kaçavidë, pinca, një levë e mjete të tjera që përdoreshin prej grabitësve. Nga hetimet paraprake dyshohet se grupi në fjalë kishte kohë që vepronte në disa qytete të vendit.
Policia dhe prokuroria janë duke verifikuar të kaluarën e Sollakut dhe Muçës për të siguruar informacione dhe prova ndaj bashkëpunëtorëve të tyre të mundshëm në këtë ngjarje. Vetë i plagosuri Arben Muça nuk ka pranuar të bashkëpunojë, duke pohuar para hetuesve se ishte i tronditur e nuk mbante mend gjë.



