Vëllai i tregtarit 53-vjeçar, që u vra mbrëmjen e 25 prillit, kërkon ndihmë nga qeveria për operacionin e kunatës së tij, Rita Buci, e cila mbeti e plagosur gjatë ngjarjes kur u vra i shoqi.
Ai thotë se operacioni është shumë i kushtueshëm dhe nuk e përballojnë dot. Megjithatë, nëse Qeveria nuk shprehet e gatshme për t’i ndihmuar, ai thotë se sërish do ta gjejnë një zgjidhje.
“Kunata nuk është në gjendje të mirë. Operacioni është i kushtueshëm, se i duhen vënë dy pllaka në këmbë. Doktori na ka thënë që paraprakisht të mos i themi gjë për Agimin, pasi gjendja e saj mund të përkeqësohet. I kërkojmë shtetit dhe Kryeministrit Rama që të na ndihmojë për operacionin që duhet të bëjë Rita, se kushton. Nuk kemi mundësi që të përballojmë operacionin. Edhe nëse nuk na ndihmon, do e gjejmë një mundësi”, shprehet Rifat Buci. Ai shton se edhe gjendja e djalit 6- vjeçar, që ishte i pranishëm natën e krimit, nuk është e mirë. Madje, thotë se ka nevojë për një psikolog. Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 prill, në orën 21:07, në rrugën “OSBE”, në Kamzë, në dyqanin ngjitur me banesën e çiftit Buci, me origjinë nga Mati.
Grabitësit dyshohet se kanë hasur në rezistencën e çiftit Buci dhe menjëherë kanë qëlluar dy herë drejt tyre. Viktima Agim Buci është qëlluar me një plumb në gjoks, ndërsa e shoqja në këmbë. Më pas, autorët kanë marrë paratë që ndodheshin në kasë dhe kanë ikur.
Agim dhe Rita Buci janë prindër të 4 fëmijëve, 3 vajzave dhe një djali të vetëm, i cili fatkeqësisht u bë dëshmitar i ngjarjes tragjike. Ata ishin larguar prej 17 vitesh nga Mati dhe kishin ndërtuar shtëpinë në Kamzë, aty ku ndodhi ngjarja.


