Vladimir Putin mbetet jashtë listës së 100 njerëzve më të pushtetshëm të botës për vitin, referuar botimit të prestigjiozes “TIME”, por një gjë e tillë nuk iu ka shpëtuar mediave ruse.
“RT” ka publikuar sot një shkrim, ku ngre pikëpyetje se përse emri i liderit rus nuk gjendet në këtë listë. Sipas “RT” një gjë e tillë ndodh kur niveli i histerizmit të krijuar në Perëndim kundër Rusisë ka arritur në një pikë të lartë.
“Vitin e kaluar, TIME zgjodhi që lideri i fundit sovjetik Mikhail Gorbaçov të shkruajë një artikull për Putinin, që bënte thirrje për një ‘ndryshim në sistemin e qeverisjes’ dhe ‘një sistem real multipartiak, zgjedhje të ndershme dhe rotacion të rregullt’. Këto referenca kishin pak efekt; Putin i fitoi vetë zgjedhjet e marsit 2018, pasi nuk kishte rivalë. Ndoshta kjo është arsyeja pse këtë herë, TIME nuk e ka konsideruar”, shkruan “RT”.
Kujtojmë që Perëndimi është bashkuar kundër Rusisë dhe Putinit, pas sulmit të dyshuar me lëndë kimike të ndodhur në Duma, që solli edhe sulmin e SHBA dhe aleatëve të saj mbi Siri, një përgjigje kjo ndaj regjimit të Assadit. E për mbështetjen e këtij të fundit, Perëndimi akuzon Putinin.


