Rastet ku efektivët e policisë përfshihen në në trafikimin e lëndëve narkotike duket se kanë ardhur duke u shtuar. Mjafton të permendim një nga çështjet më “pikante” siç është ajo e Habilajve.
Jo më larg se paraditen e sotme, një inspektor i komisariatit numër 2 në Tiranë dyshohet se ka transportuar drogë me makinën e tij në bashkëpunim me shokun e tij.
Çfarë ndodhi sot:
Një efektiv i policisë së Tiranës është shpallur në kërkim si i përfshirë në trafik droge. Ai dyshohet se transportoi drogë përmes makinës së tij. Bëhet fjalë për inspektorin e Komisariatit nr.2 në Tiranë me inicialet S.O.
Në fshatin Thumanë të Fushë Krujës Policia ka gjetur mëngjesin e së premtes dy makina me rreth 421 kg kanabis. Njëra prej makinave ishte në pronësi të efektivit të Policisë, ndërsa automjetin tjetër e drejtonte një 40-vjeçar që është arrestuar.
Dyshohet se sasia prej 421 kg kanabis do të shitej tek disa persona të tjerë në Fushë-Krujë. Ndërkohë Drejtoria e Standardeve në Policinë e Stetit, ka pezulluar nga puna inspektorin e komisariatit nr.2.
Dosja “Habilaj”
Të paktën 3 ish-drejtues të lartë policie janë perfshirë në atë që quhet “Dosja Habilaj”, në të cilën është përfshirë dhe ish-ministri, Saimir Tahiri.
Çfarë ndodhi dhe roli i të implikuarëve:
Dyshohet se ish-zyrtari Bode i siguroi grupit zhvillimin e lirshëm të aktivitetit, përmes shmangies së kontrolleve policore. Në këtë aktivitet kriminal, shefi i policisë Bode, krahas implikimit me trafikantët e grupit ka bashkëpunuar edhe me dy ish-zyrtarë të tjerë të policisë, drejtorin Jaeld Çela dhe shefin kundër Drogës dhe Trafiqeve, Gjergji Kohila.
Jaeld Çela, ish-Drejtor i Policisë Vendore Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Prill 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Trafikim të narkotikëve”, të kryer në bashkëpunim në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284, 283/a dhe 333/a.
– Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, liruar nga detyra dhe nxjerrë në dispozicion që prej muajit Maj 2017; i dyshuar për veprat penale “Kultivimi i narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 284 dhe 333/a, të Kodit Penal.
Trafiku i 2.5 ton hashash/ Kush është nënkomisari i policisë Festim Lelaj
Festim Lelaj, efektiv policie nga Vlora, me detyrë nënkomisar në Drejtorinë e Policisë së Fierit është arrestuar nën akuzë për trafikimin e 2.5 ton hashash nga Shqipëria drejt Italisë.
Në kohën kur u zbulua ky rast trafikimi, nën komisari Festim Lelaj nuk ishte me detyrë në Fier, ku dhe u arrestua të martën, por në Drejtorinë e Policisë së Dibrës si specialist krimesh.
Kapet me 1.5 ton drogë në Velipojë, polici i implikuar nuk dorëzohet lehtë
Polici i arrestuar gjatë sekuestrimit të drogës në Vilun të Velipojës ka tentuar të mbrojë deri në fund aktivitetin e paligjshëm ku ishte përfshirë, duke tentuar të korruptojë komandantin e FNSH Shkodër para arrestimit. Një pjesë e kanabisit të kapur në këtë operacion ishte marrë në zonën e Lumit të Vlorës. Enriko Zyle, punonjësi i policisë i prangosur në Vilun të Shkodrës për sasinë e drogës së sekuestruar rreth 1.5 tonë, jo vetem ishte i përfshirë në trafikun e drogës.
Edhe në momentin e arrestimit, ai ka tentuar të korruptojë me para kolegët e tij, që do t’i vinin prangat. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bëjnë të ditur se Zyle, Punonjës në Drejtorinë e Kufirit dhe të Migracionit Tiranë, i ka premtuar një shumë të hollash komandantit të FNSH-së, Shkodër që të tërhiqte forcat e policisë, pasi në të kundërt këtë histori do t’ia kthente në personale. Fillimisht punonjësi policisë, kishte tentuar të largohej nga vendi i ngjarjes me një automjet tip “Golf”, në afërsi të hotelit ku u gjet lënda narkotike, por u kap pasi humbi kontrollin dhe ra në kanal.
Sipas hetimeve lënda narkotike ishte mbledhur, magazinuar në zonën e Vilunit, duke u bërë gati për t’u transportuar në rrugë detare drejt brigjeve Italiane.
AlpeNews.al







