Tenton të trafikojë armë zjarri nga Kosova për Shqipëri, arrestohet në flagrancë nga Policia Kufitare në Morinë 44-vjeçari kosovar. Hamdi Mavriqi, 44 vjeç, banues në Prishtinë, u vu në pranga nga Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë. Policia ka sekuestruar 3 armë zjarri Pistoletë, tip “Glock” si dhe 25 fishekë luftarakë.
Policia njofton se Mavriqi u paraqit në sportelin në hyrje të P.K.K. Morinë, i cili udhëtonte me mjetin e tij tip “Seat”, dhe u përzgjodh nga shërbimet e Policisë Kufitare, për kontroll më të detajuar në vijën e dytë.
Gjatë kontrollit fizik, poshtë xhupit ju gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 armë zjarri Pistoletë, tip “Glock”, 25 fishekë.
Armët e zjarrit, municioni luftarak si dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijon puna për identifikimin e autorëve të tjerë të implikuar, shtuan të njëjtat burime, ndërsa materialet në ngarkim të kosovarit, i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/a i Kodit Penal.


