Gjykata për Krimet e Rënda ka shpallur vendimin përfundimtar për katër nga të akuzuarit për gjobvënie të tregtarëve dhe biznesmenëve në Shkodër.
Ndërkohë që të pandehurve u ulet një e treta e masës së dënimit për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar.
Kështu, Besmir Domnori u dënua me 9 vjet. Muhamet Lici, 13 vjet burg, Abedin Bajraktari 11 vjet, Denis Skutina 10 vjet
DOSJA E PROKURORISË
Lici, Bajraktari, Skutina, Domnori kishin krijuar një strukturë kriminale për të mbledhur me anën e dhunës, kanosjes dhe kërcënimeve, shuma parash nga shitësit e Tregut të Zdrales, të Rrugës së Gjerë
të Kirasit etj. Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme, se ky grup personash është i dyshuar për veprat penale të
“Shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie” dhe “Krijimit të Grupit Kriminal”. Prokuroria për Krime të Rënda ka zhvilluar një hetim disamujor, në bazë të informacionit të përcjellë nga ana e Drejtorisë së Policisë Vendore Shkodër.
Në kuadër të këtij hetimi, rezultoi se drejtuesit e këtij grupi kriminal angazhonin anëtarët e tjerë të grupit që, në çdo fund muaji të merrnin nga çdo tregtar në tregjet e sipërpërmendura shumat nga 1.000 lekë deri në 3.000 lekë. Numri i tregtarëve që kanë qenë të detyruar të paguajnë këto shuma mujore është tepër i lartë. Nga veprimet hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se ky grup ka qenë aktiv të paktën që nga tetori 2016, kohë kur është regjistruar procedimi penal kundër tyre. Sipas të dhënave hetimore, ky grup, fillimisht ka larguar me forcë nga ky aktivitet kriminal një tjetër grup, gjithnjë nëpërmjet dhunës dhe kërcënimit, dhe më pas ka operuar vetë, duke detyruar tregtarët që tëpaguanin “taksën mujore” tek ata.
Anëtarët e grupit kishin për detyrë të zbatonin urdhrat e drejtuesve të grupit, si dhe të raportonin mbi lëvizjet e punonjësve të policisë në zonën e influencës së tyre, apo dhe për persona të panjohur, automjete që janë pranë tyre apo deportojnë në zonën ku ata banojnë dhe ushtrojnë “aktivitetin”. Njëkohësisht, këta shtetas, në ditët e fundit të çdo muaji, kalojnë në lokalet apo dyqanet në tregun Zdrale Shkodër, duke mbledhur lekët, duke raportuar dhe dorëzuar lekët e mbledhura te drejtuesit e grupit. Organizatorët e grupit kriminal, pasi u jepnin porositë anëtarëve të grupit, i dërgonin me makinë në zonën e tregut, dhe këta takoheshin me çdo tregtar dhe i merrnin shumat, madje duke mbajtur dhe bllok ku shënoheshin personat që paguanin.
Ky aktivitet kriminal është provuar se është shtrirë në kohë, nga muaji tetor 2016 deri në muajin shkurt 2017. Pra, nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kemi të bëjmë me disa persona që kanë njohje dhe lidhje midis tyre, që kanë bashkëpunuar me njëritjetrin në kryerjen e shumë veprave penale me qëllim fitimi, si shtrëngimi me anën e kanosjes për marrjen e pasurisë. Ky bashkëpunim nuk është i astësishëm, pasi anëtarët e tij kanë njohje me njëri-tjetrin, ka një shtrirje të aktivitetit kriminal të provuar të paktën prej 4 muajsh.
Në bazë të hetimit të deritanishëm, Gjykata për Krime të Rënda pranoi kërkesën e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për disa persona, masa të cilat i janë dorëzuar Policisë së Shtetit për t’i zbatuar.


