Presidenca ka reaguar pas raportit te “Freedom House”, që thoshte se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri mori një goditje të fortë me zgjedhjen e Ilir Metës si President. Në raport thuhet se “Lufta kundër korrupsionit mori gjithashtu një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës si President i Republikës më 28 prill, presidenca e të cilit u bë e mundur nga votat e Partisë Socialiste. Në vitin 2011, Rama vetë e kishte cilësuar Ilir Metën si simbol të gjithçkaje që ishte e kalbur në politikën shqiptare, një vlerësim që e ka edhe një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar”.
Por në reagimin e Presidencës thuhet se simbol i korrupsionit nuk është Ilir Meta, por ata që deformojnë dhe porositin raporte të tilla.
Reagimi i Presidencës:
Keqardhje për keqpërdorimin e këtij raporti të Freedom House në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë.
Zgjedhja e presidentit Meta është realizuar në një proces tërësisht kushtetues dhe demokratik me një shumicë mbi 3/5-at të votave dhe në një moment kyç për stabilitetin e vendit dhe zgjidhjen e krizës politike parazgjedhore.
Në mënyrë të sforcuar dhe të njëanshme ky raport, jo vetëm deformon këto të vërteta, por në mënyrë spekulative dhe të qëllimshme kërkon të krijojë fokuse artificiale.
Nëse Freedom House është i interesuar vërtet të hedhë dritë mbi korrupsionin në Shqipëri, duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të të vërtetave në këtë raport dhe jemi të bindur se aty do të zbulojë simbolet konkrete të korrupsionit kombëtar dhe ndërkombëtar.
Për këtë qëllim jemi të hapur të bashkëpunojmë edhe me Freedom House.
Pyetjet që shtrohen pas kësa janë?
- Vërtetë mendon kreu i shtetit se “Freedom House” mund të arrijë deri në këtë pikë sa të keqpërdoret dhe të hartojë raportet e saj vjetore për Shqipërinë,- të cilat i bën për çdo vit e për çdo shtet të botës,- “në funksion të axhendave të njëanshme politike në vendin tonë”? Nëse “PO”, përse atëherë në fund të deklaratës thotë se “jemi të hapur për bashkëpunim edhe me Freedom House”. Si mund të bashkëpunojë Presidenti i një vendi me një organizatë që bën raporte të tilla?!
- Kur thotë se “në mënyrë të sforcuar dhe të njëanshme ky raport, jo vetëm deformon të vërtetat, por në mënyrë spekulative dhe të qëllimshme kërkon të krijojë fokuse artificiale”, a i trembet Presidenti i Republikës një debati mediatik dhe publik në lidhje me vlerësimin që sipas raportit, thuhet se e ka një pjesë e madhe e elektoratit shqiptar, që e sheh atë “si simbol të gjithçkaje të kalbur në politikën shqiptare”?!
- Pse Presidenca nuk flet me emra të përveçëm apo me atë që ata përfaqësojnë në Tiranë kur thotë se Freedom House “duhet të hetojë në mënyrë të paanshme kush ka ndikuar dhe porositur këto deformime të fakteve dhe të vërtetave në këtë raport”? Sepse kjo le të kuptohet qartë që Presidenca jo vetëm e ka bindje që raporti i Freedom House është manipuluar, është keqpërdorur në funksion të axhendave të njëanshme, por ditkërka edhe emrat konkretë me sa duket edhe se kush është/janë ata që e kanë bërë këtë.
- E si të mos mjaftohet me kaq Presidenca ditkërka jo vetëm emrat e manipulatorëve të raportit të Freedom House për Shqipërinë, por ata na qenkërkan edhe “simbole konkrete të korrupsionit kombëtar e ndërkombëtar”. Mirë me se këtë kombëtar kuptohet se për kë e ka fjalën, po për ketë ndërkombëtarin për kë ta ketë fjalën vallë?!


