Në një rrugicë disi të fshehtë në që lidhet me rrugën “Aleksandër Moisiu” në Kinostudio, Mario Majollari u qëllua me pistoletë duke gjetur vdekjen në vend.
Mësohet se 28-vjeçari Majollari ka qenë duke ecur më këmbë në rrugicën gati të pandriçuar kur persona të paidentifikuar janë afruar dhe kanë qëlluar nga një makinë, pa zbritur nga ajo. Pasi e kanë qëlluar disa herë, autorët janë larguar me shpejtësi. Sipas dëshmitarëve, mjeti i atentatorëve u largua drejt Tufinës, e duket se kjo gjë mund ta ndihmojë policinë për japjen e tyre.
Kalimtarë të rastit dhe banorë të zonës kanë dëgjuar të shtënat dhe më pas kanë konstatuar viktimën dhe kanë njoftuar policinë, e cila ka ngritur disa postblloqe për kapjen e autorëve.
VENDI I VRASJES
Deri tani janë disa persona të shoqëruar, por nuk dihet nëse ndërmjet tyre ka të dyshuar. Mario Majollari dyshohet se u vra për hakmarrje, pasi babai i tij është dënuar me burg përjetë për vrasjen e dy personave në vitin 2000. Madje për këtë qëllim para 3 vjetësh 28-vjeçari kishte kërkuar azil në Suedi pasi ndihej i rrezikuar, por iu refuzua dhe u kthye në Tiranë.


