Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi një dënim me 8 vite burg për një ish-punonjës policie të akuzuar për përfshirë në kultivimin e kanabisit. Sipas prokurorisë, i pandehuri Gani Abazi, i cili u gjykua në masë sigurie “arrest shtëpie”, mbante kontakte me kultivues të kanabisit në disa fshatra të Tepelenës, ndërsa ishte pjese e policisë së qytetit jugor.
Për akuzat e “kultivimit të bimëve narkotike” dhe “grupit të strukturuar kriminal” prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të tre të bashkëpandehurve të tij. Sipas pretencës së përgatitura nga prokurorët Ened Nakuci dhe Vladimir Mara, për Besim Zikën u kërkuan 9 vite burg, ndërsa për Pëllumb e Festim Ronën nga 8 vite. Të pandehurit e kësaj dosjeje u arrestuan në shkurt të vitit 2017, gjatë një operacioni ku u sekuestrua në total një sasi prej 1.7 tonë kanabis, shkruan abcnews.
Organet e drejtësisë ranë në gjurmët e të pandehurve nga hetimet që po kryheshin nga Prokuroria e Tiranës për llogari vrasjes së Elton Çiçës në Maj 2016 në kryeqytet. Përgjimet e disa personave me banim në Tepelenë zbuluan angazhimin e tyre në kultivimin e kanabisit në disa fshatra të zonës dhe faktin se ata bashkëpunonin dhe kishin mbështetje nga punonjës të policisë.
Nga hetimi i metejshëm i Krimeve të Rënda u ngritën dyshime se Gani Abazi, punonjësi i policisë së zonës që mbulonte fshatrat ku vepronin të akuzuarit, jo vetëm kishte ardhur në dijeni të ekzistencës së parcelave të kultivuara me lëndë narkotike, por edhe se dinte me saktësi numrin e rrënjëve të mbjella dhe emrin e personit që kujdesej për to.
DOSJA E PLOTE
Prokuroria për Krime të Rënda ka zhvilluar hetimin për këta persona, të cilëve, pak muaj më parë iu sekuestrua një sasi shumë e madhe lënde narkotike kanabis sativa, e papërcaktuar ender deri më tani, e mbjellë në fshtara të ndryshëm të Vlorës, kryesisht në Vezhdanisht dhe Treblovë. Gjithashtu, këtij grupi i janë sekuestruar edhe rreth 2 ton kanabis në Tepelenë.
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda janë evidentuar si persona përgjegjës dhe pjesëmarrës në këtë grup kriminal, shtetasit:
Haki Hasanbegaj, me detyrë Shef i Rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, Vlorë
Gani Abazi, me detyrë Shef i Specialistëve të Zonave në Komisariatin e Policisë, Tepelenë
Musa Bedinaj, kultivues, organizator
Po ashtu janë edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si kultivues organizatorë, identiteti i të cilëve nuk mund të publikohet, pasi nuk është realizuar arrestimi i tyre
Ndaj këtyre personave, Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, pasi dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Kultivimit të lëndëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Nga të dyshuarit, deri më tani është bërë i mundur arrestimi i zyrtarëve të Policisë, Hasanbegaj dhe Abazi, të cilët u prangosën nga ana e oficerëve të Shërbimit për Çështje të Brendshme dhe Ankesave, si edhe i një prej kultivuesve organizatorëve, Musa Bedinaj. Të dyshuarit e tjerë janë shpallur në kërkim, pasi nuk janë gjetur gjatë operacionit policor.
Në kuadër të këtij hetimi, i cili ka nisur nga referimi i shërbimeve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, në Tetor 2016 u arrestuan edhe 6 persona të tjerë, ndërkohë që u shpall në kërkim një tjetër zyrtar policor.
Lidhjet me Elton Çiçën
Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se Hasanbegaj, i cili deri në pranverën e vitit 2016 ishte në detyrën e Shefit të Komisariatit të Tepelenës, mbante kontakte të vazhdueshme me persona që kultivonin lëndë narkotike në atë zonë.
Madje, kur është larguar nga drejtimi i Komisarit të Tepelenës për në detyrën e Shefit të Rendit në Drejtorinë e Vlorës, duket se një pjesë e këtyre kultivuesve kanë shprehur shqetësimin për zëvendësimin e tij.
Nga hetimi rezulton se Hasanbegaj ka qenë lidhje e ngushtë e shtetasit Elton Çiça, i cili u vra pak javë pas largimit të Hasanbegajt nga Tepelena, në një atentat në zonën e ish-“Bllokut” në Tiranë.
Çiça dyshohej se ishte pjesë e një rrjeti të gjerë kultivimi dhe trafikimi të lëndëve narkotike në zonën e Tepelenës.
Çiça rezulton se ka pasur informacion për lëvizjet e drejtuesve në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Ai i shpreh mbështetjen e tij Haki Hasanbegajt në momentin që ky po largohej për në Drejtorinë e Policisë së Vlorës.
Po ashtu, Çiça rezulton se ka qenë i informuar se cili do të zëvendësonte Hasanbegajn në drejtimin e komisariatit të Tepelenës, me qëllimin e qartë që të vijonte i pashqetësuar aktivitetin e paligjshëm të kultivimit të lëndëve narkotike.
Nga të dhënat e deritanishme të hetimit rezulton se në rastin konkret ka të dhëna të mjaftueshme për ekzistencën e faktit kriminal, të kultivimit të bimëve narkotike, fakt i cili parashikohet si vepër penale në Kodin Penal.
Njëkohësisht rezulton se personat e përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë një formë të veçantë bashkëpunimi në kryerjen e veprës penale që për nga forma, struktura dhe qëllimi ka formën e grupit të strukturuar kriminal, sipas përkufizimit të parashikuar në dispozitat e ligjit material dhe procedurial penal.
Po ashtu rezulton se secila nga grupet e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, kanë krijuar lidhje të mëparshme nga punonjës të policive vendore, me qëllim mbrojtjen dhe shmangien nga asgjësimi i bimëve narkotike dhe mos dhënies së informacionit për parcelat e mbjella me bimë narkotike, kundrejt përfitimeve të parregullta.



