Një shpërthim eksploziv ka ndodhur mëngjesin e sotëm në qytetin e Vlorës. Eksplozivi ishte vendosur në një automjet i tipit Mercedes Benz në pronësi të 42-vjecares Vejushe Dalipaj. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar. Ngjarja ka ndodhur tek “7 pallatet” në Vlorë. Mjeti është shkatërruar në pjesën e përparme. Ndërkohë policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.
Gazetari i “Panorama” raporton se makina ka qenë e parkuar brenda banesës në kohën që ka shpërthyer nga lënda plasëse që i ishte vendosur.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 10.11.2017, rreth orës 05:20, Salla Operative Vlorë është njoftuar nga një telefonatë prej shtetases V.D., rreth 42 vjeçe se pranë automjetit të saj tip ”Mercedes Benz”, ka dëgjuar një zhurmë në formë shpërthimi.
Shërbimet Policore kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se: Mjeti tip ”Benz”, ka qënë i parkuar përpara banesës së shtetases në vendin e quajtur ”7Pallatet”, në lagjen “Uji i Ftohtë”, dhe se ka dëmtime në pjesën e përparme të tij.
Dyshohet se dëmtimet në mjet të jenë si pasojë e një shpërthimi me lëndë eksplozive që mund t’i kenë vendosur.
Grupi hetimor po punon për përcaktimin dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.



