Tre të rinj u ndanë tragjikisht nga jeta, teksa ktheheshin nga një dasmë. Ata u përfshinë në një aksident rrugor, ku makina e tyre përfundoi jashtë rrugës duke rënë në një kanal me ujë.
Aksidenti ndodhi në fshatin Varibop, në aksin rrugor Levan-Tepelenë. Të rinjtë, dy kushërinj shqiptarë, Agustin Murataj 30 vjeç, Fisniku 32 vjeç dhe e fejuara e këtij të fundit, 34-vjeçarja me shtetësi të huaj (franceze) Nazia Aham po ktheheshin me automjet për në fshatin Kutë të Mallakastrës. Aty ishte shtëpia e kushëririt të Fisnkut, Agustinit, ku të rinjtë do të rehatoheshin, e më tej çifti i të fejuarve do të nisej për në Greqi, ku jetonte Nazia Aham.
Të tre kanë profile në rrjetin social Facebook, ku janë marrë edhe fotot e të rinjve. Nazia me Fisnikun, veç ndjenjës mes tyre, i bashkonte edhe dashuria për kafshët. Të dy kanë mjaft foto në Facebook me qenë.
Ndërkohë në profilin e vajzës franceze, është edhe fotoja e makinës tip “Suzuki” me targë IHZ 1755, i njëjti automjet që doli nga rruga dhe ra në kanal. Makinën e drejtonte Fisnik Murataj, por automjeti ishte në pronësi të 34-vjeçares.
Policia thotë se grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe shkaqeve që çuan në këtë aksident tragjik që i mori jetën tre të rinjve.








