Lajmi i bujshëm për fillimin e hetimeve zyrtare kundër Rovena Gashit ish nr. 2 të Prokurorisë së Përgjithshme në kohën kur ishte Kryeprokuror Adriatik Llalla dhe për bashkëshortin e saj prokuror Dritan Gina, ish Prokuror i Elbasanit, ka bërë sot xhiron e mediave online. Ata po hetohen për akuzat e rënda të pastrimit të parave të pista, fshehje dhe mosdeklarim pasurie në bashkëpunim.
Pas nisjes së hetimeve zyrtare ndaj Adriatik Llallës nga Prokuroria e Durrësit për 4 akuza, tre nga të cilat janë identike si ato për ish krahun e tij të djathtë për 5 vjet me radhë, ky është hetimi i dytë më i madh që ka ndodhur në sistemin e drejtësisë në linjë e organit të akuzës.
Ndrysha nga Llalla që ka përdorur një skemë pastrimi parash duke investuar në pasuri të paluajtshme kryesisht në toka, duke i blerë me çmime qesharake dhe duke i shitur apo rivlerësuar brenda pak ditësh deri në 30 herë më shtrenjtë, çifti i prokurorëve Gashi- Gina ka ndjekur një skemë tjetër.
Ata me sa duket kanë fshehur pronat duke mos i deklaruar dhe duke mos i regjistruar në organet zyrtare të shtetit, pasi nuk kanë patur si ti justifikojnë për aq kohë sa në deklaratat e tyre të pasurisë janë shprehur se ishin aq të varfër sa i është dashur që të marin kredi deri edhe për të blerë një lavatriçe(?!) për shtëpinë e tyre.
Ajo që duket se i ka tradhëtuar në këtë rast ka qenë zbulimi në sistemin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë të 16 kontratave private të furnizimit me energji elektrike të 16 objekteve: 14 apartamente në zonë e Shkëmbi të Kavajës në plazhin e Durrësit dhe të dy objekteve me sipërfaqe ndërtimi prej mijëra metrash katrorë të dhëna me qera ku ushtrojnë aktivitet biznesi një firmë italiane fasonerie dhe një tjetër në fushën e materialeve hidraulike dhe hidrosanitare.
Të gjitha këto kontrata një kopje të së cilave i kemi publikuar këtu, janë në emër të Nuredin Gashit, babai të Rovena Gashit, i cili është 63 vjeç dhe figuron si i papunë që nga viti 1992. Kjo besohet se ka qenë prova fatale që ka vulosur njëherë e mirë jo vetëm fatin e nisjes së hetimeve zyrtare ndaj Rovena Gashit dhe Dritan Ginës por edhe fatin e tyre profesional dhe juridik në të ardhmen. Besohet se ka edhe të tjera prona që mund të jenë fshehur me këtë skemë vlera e të cilave mund të shkojë mbi 2-3 milionë euro.
Përgatiti: Alpenews.al



















