Një ditë përpara nisjes së mosbindjes civile nga ana e opozitës, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi deklaroi se prej ditës së nesërme fjalën e ka populli.
Ajo i bëri thirrje edhe policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë vendosur në shërbim të pushtetit që të llogarisin edhe fundin e karrierës së tyre kur ky pushtet të bjerë.
“Ai dhe veglat e tij në prokurori dhe gjykatë dëshmuan se drejtësia vdiq. Jetojmë në një shtet policor. Vendimi i gjykatës tregoi hapur se reforma në drejtësi instaloi kapjen e sistemit të drejtësisë nga politika e inkriminuar. Me këtë pushtet nuk ka më asnjë bashkëpunim civil. Askush nuk mund të vendoset mbi popullin dhe mbi vullnetin e tij. As bandat dhe as kriminelët që mbrojnë Edi Ramën, as ata që eksporton nga jashtë”, tha Kryemadhi.
Sipas saj “opozita e bashkuar nuk do ta lejojë reprezaljen. Frika nga populli po ia merr frymën, por ky frikacak nuk mund ta mbysë një popull të tërë. Ata policë që i shërbejnë pushtetit duhet të llogarisin edhe fundin e karrierës së tyre. Po kështu edhe ata gjykatës e prokurorë po i shërbejnë Ramës dhe krimit të organizuar. Sot fjala e politikës mbaroi, tani fjalën e ka populli”.
Tensionet në gjykatë, Kryemadhi: Beteja sapo ka nisur, asgjë nuk na ndal
Pas tensioneve që ka pasur ditën e sotme, Mes deputetëve dhe forcave të policisë ku mbeti i plagosur dhe deputeti Edmond Sapho, ka reaguar dhe Monika Kryemadhi.
Kryetarja e LSI me anë të një statusi në Facebook, shkruan se beteja sapo ka nisur, dhe Rama është fajtori dhe frikacaku i madh.
Postimi i plotë
Edi Rama, fajtori dhe frikacaku i madh, sot po nënshkruan fillimin e fundit të tij në pushtet.
Nuk është mjaftuar me dhunën sistematike ndaj kuksianëve, por sot në mënyrë flagrante ka dhunuar edhe deputetët që ndodhen pranë Gjykatës së Tiranës në mbështetje të protestuesve.
Asgje nuk i ndal më shqiptarët për të drejtat e tyre!
As blindat dhe policia e Edi Ramës dhe as falangat e tij të pushtetit.
Ne do jemi aty në mbrojtje të qytetarëve dhe të drejtës së tyre.
BETEJA SAPO KA FILLUAR!


