Familjarët e të arrestuarve vijojnë të qëndrojnë pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë ndërsa sipas “News 24” disa deputetë të Partisë Demokratike kanë tentuar të futen në ambientet e brendshme. Në protestë janë të pranishëm edhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Gjithashtu qytetarë të shumtë janë duke u afruar pranë familjarëve të të arrestuarve. Para Drejtorisë mësohet se është vendosur edhe një impjant muzikor në të cilën pothuajse gjatë gjithë ditës janë vendosur muzikë patriotike dhe vallja e Tropojës.
Po ashtu më herët u bë me dije se të ndaluarit në Kukës për protestën e zhvilluar rreth katër ditë më parë do të paraqiten për të marrë masën e sigurisë nesër në gjykatën e Tiranës.
Lajmi bëhet i ditur nga burime të brendshme për “Panorama”. Arsyeja e shtyrjes së seancës dhe zhvillimi i saj në Tiranë do të bëhet për mungesë kapaciteti në Gjykatën e Kukësit.
Ka shkuar në 15 numri i qytetarëve të proceduar penalisht nga Policia e Tiranës, për protestën që kanë bërë para Drejtorisë së Policisë në kryeqytet, për lirimin e të arrestuarve në Kukës.
Ata do të procedohen për tubim të paligjshëm.
“Kanë prishur rendin dhe qetësinë publike”, thanë blutë.
Ndërkohë policia njofton se po punon për identifikimin e personave të tjerë.


