Pas më shumë se tre muaj të bojkotimit të parlamentit, VMRO-DPMNE-ja opozitare kthehet në punimet e seancave të Parlamentit të Maqedonisë. Zoran Zaev Optimist për dialogun me opozitën
“Morëm vendimin që të marrim pjesë në punimet e Parlamentit që të luftojmë për çdo propozim që është në dobi të qytetarëve dhe të kundërshtojmë çdo masë të dëmshme dhe politikën antishtetërore që është duke u zbatuar nga shumica parlamentare”, ka thënë lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski duke deklaruar kthimin në parlament. Disa herë ishin kthyer deputetët e VMRO-DPMNE-së në seancat e parlamentit për të penguar miratimin e ligjeve të caktuara, siç ishte rasti me ligjin për përdorimin e gjuhëve, për të cilin parashtruan mbi 35 mijë amendamente, të cilat bllokuan punën e parlamentit.
Kërkesat e opozitës
Por kthimin në Parlament VMRO-DPMNE-ja e kushtëzon me disa kërkesa politike, para se gjithash me vendosjen në rend dite votëbesimin e Qeverisë. “Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së do të iniciojë votimin e mosbesimit të qeverisë, pasi nga ajo që kemi parë deri më tani bëhet fjalë për një qeveri me humbje të kredibilitetit. Deputetët e VMRO-së në detaje do të argumentojnë këtë qëndrim lidhur me qeverinë arrogante dhe anti-shtetërore që duhet të largohet sa më parë”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski. Ai ka kërkuar sa më shpejt largimin e qeverisë. Po ashtu kjo parti i ka dërguar LSDM-së edhe një listë me kërkesa të tjera, të cilat pritet të publikohen gjatë javës.
Ligjet që kanë mbetur pa u miratuar, e që kërkojnë dy të tretat e votave, kanë të bëjnë me gjyqësorin, reformat në polici dhe shërbimet e inteligjencës, për zgjedhjet e organeve drejtuese të transmetuesit publik, agjencisë së medieve dhe ligje tjera në sferën sociale dhe administratën publike.


