Forcat speciale të Policisë dhe ato të rendit, prej disa orësh vijojnë operacionet për identifikimin, shoqërimin, marjen në pyetje dhe arrestimin e personave të cilësuar si përgjegjës për dhunë gjatë protestës së djeshme në Rrugën e Kombit për tarifën e re të kalimit të automjeteve.
Numri më i madh i të shoqëruarve, besohet se është nga qyteti i Kukësit, por edhe nga fshatrat dhe rrethinat përgjatë territorit nga kalon rruga.
Sipas burimeve të Alpenews.al ka mbërritur në plot 24 numri i fletë- arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Kukësit, nën akuzën e përdorimit të dhunës mbi forcat e policisë, por edhe për shkatërrimin e pronës private e publike me mjete të forta e zjarr.
Numri i të shoqëruarve, sigurisht që është më i madh. Sipas burimeve policore ai arrin në mbi 35 persona, por një pjesë e tyre, pasi u meren deklarimet përkatëse, besohet se do të lihen të lirë. Komisionerët e Avokatit të Popullit bazuar në ankesat dhe deklaratat e qytetarëve, besojnë se numri i të shoqëruarve nga policia është edhe më i lartë.
Që dje pasdite, Prokuroria e Përgjithshme me anë të një deklarate publike, njoftoi se ka nisur menjëherë punën pë identifikimin dhe marrjen e masave për ndëshkimin e të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin.
Edhe shefi i qeverisë Edi Rama është shprehur i prerë se do të ketë arrestime për të gjithë ata të cilët janë përfshirë në protestën e djeshme në Rrugën e Kombit.
Ende nuk dihen gjeneralitetet e të arrestuarve por në orët në vijim besohet se do të ketë një njoftim zyrtar ku do të saktësohen të gjitha detajet e këtij megaoperacioni të policisë, prokurorisë dhe gjykatës në qarkun e Kukësit.
Përgatiti: Alpenews.al


