Dilemës nëse 6 shtetasit turq të arrestuar të enjten në Prishtinë, janë larguar nga territori i Kosovës, i dhanë fund mediat kosovare. Këto janë pamjet ku shfaqen 6 të ashtuquajturit si gylenistë duke u larguar nga aeroporti i Prishtinës.
Të arrestuarit shihen teksa shoqërohen nga Policia e Kosovës, duke kaluar përmes një zone të rezervuar të Aeroportit të Prishtinës. Mediat raportojnë se ata iu dorëzuan agjentëve të shërbimit sekret turk.
Ashtu si kryeministri Haradinaj dhe kryeparlamentari Veseli, edhe Presidenti Hashim Thaçi deklaroi se nuk ishte në dijeni të këtij operacioni. Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtarë, kryeministri Ramush Haradinaj paralajmëroi hetime.
“Kemi vendosur të kërkojmë hetim në të gjitha mekanizmat e përfshirë. Kam informu Këshillin e Sigurisë dhe kam kërkuar një raportim me shkrim nga institucionet përgjegjëse për zhvillimet ndaj ndalimit dhe deportimit të fshehtë të 6 shtetasve turq.”
Haradinaj shkarkoi të premten ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e zbulimit të Kosovë Driton Gashi, pasi ata nuk informuan krerët e shtetit për operacionin, por Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh i zhgënjyer nga institucionet e sigurisë për ngjarjen.
“Detajet duhet të sqarohen nga AKI dhe MPB dhe në rast se ka pasur shkelje, atëherë përgjegjësit duhet të japin llogari. Unë jam në dijeni se organet janë duke e hetuar këtë rast dhe ne duhet të presim përfundimin e tyre, hetime po kryen edhe nga Avokati i Popullit.”
6 turqit e arrestuar ishin në kërkim nga autoritetet turke si pjesë e rrjetit arsimor, Mehmet Akif, në pronësi të imamit në arrati Fetullah Gylen, i akuzuar nga Presidenti Rexhep Taip Erdoan, si organizatori i grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.


