Ambasadori i SHBA Jon Gunman është ftuar në Ministrinë e Jashtme ruse për t’u njohur me një raport i cili parashtron një sërë masash që Rusia do të marrë si shenjë hakmarrje pasi shumë vende evroopiane, përfshirë edhe SHBA, dëbuan nga vendet e tyre diplomatët rusë.
Teksa linte ministrinë, i dërguari i SHBA refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve.
Moska do të dëbojë të njëjtin numër të diplomatëve amerikanë si Uashingtoni dhe do të mbyllë Konsullatën e Përgjithshme të SHBA në Shën Petersburg, njoftoi ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov.
“Masat do të jenë reciproke … Ato përfshijnë dëbimin e një numri të barabartë të diplomatëve si dhe SHBA dhe gjithashtu masat përfshijnë vendimin tonë për të tërhequr marrëveshjen për të lejuar konsullatën e përgjithshme të Shteteve të Bashkuara të veprojë në Shën Petersburg,” tha Lavrov për një konferencë.
Diplomati më i lartë vijoi të thoshte se Rusia jo vetëm do të japë një përgjigje të ngjashme me ato të Perëndimit, pas helmimit të Skripal, por madje “më shumë se kaq”.
Siç shpjegoi ai, kundërmasat e Rusisë do të ndikojnë në të gjitha vendet që kanë marrë një vendim për të dëbuar diplomatë, këtu përfshihet edhe Shqipëria.
Ministri gjithashtu vuri në dukje se Rusia do të thërrasë një takim urgjent të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në një përpjekje për të filluar një dialog dhe për të zbuluar të vërtetën.


