Anila Trimi është emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA).
Njoftim i plote
Anila Trimi është emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA). Urdhri i Ministrit të Brendshëm për emërimin mban datën 29 mars 2018. Ajo zëvendëson në këtë detyrë Eduard Merkajn, i cili u emërua më herët në detyrën e Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit.
Që prej Tetorit të vitit 2017, znj.Trimi ka mbajtur postin e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme. Më herët, ajo ka drejtuar Drejtorinë e Përgjithshme të Antitrafikut dhe Azilit në MB dhe ka punuar në Policinë e Shtetit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar. Znj.Trimi është diplomuar në Akademinë e Policisë, si dhe për Drejtësi.
Kush eshte Anila Trimi
Anila Trimi, mban pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), që nga 29 marsi 2018.
Përpara se të merrte këtë detyrë, nga Shtatori 2017 znj.Trimi mbante pozicionin e Sekretarit të Përgjithshme në Ministrisë së Brendshme.
Maj 2015 deri në Shtator 2017 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Antitrafikut dhe Azilit në Ministrinë e Brendshme.
Gjatë periudhës Qershor 2006 – Maj 2015 ajo ka punuar në Sektorin Kundër Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Shtetit.
Ajo ka marrë pjesë në hetime të përbashkëta me autoritetet e zbatimit të ligjit të Gjermanisë, Zvicrës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, vendeve të Beneluksit dhe agjenci të tjera të zbatimit të ligjit në Europë.
Znj. Trimi ka mbajtur leksione në rolin e trajnuesit në Akademinë e Policisë, Tiranë, për procedurat hetimore të trafikimit të qenieve njerëzore, identifikimin e viktimave të trafikimit, teknikat e intervistimit, mbrojtjen e viktimave etj. Ajo ka punuar për hartimin e Procedurave Standarde të Veprimit, për identifikimin, referimin dhe asistencën e viktimave të trafikimit si dhe planeve të veprimit për luftën ndaj këtij fenomeni.
Në periudhën Qershor 2001 – Qershor 2006, znj. Trimi ka punuar në Sektorin për Mbrojtjen e Fëmijëve, në Policinë e Shtetit. Gjatë kësaj kohe, ajo është caktuar gjithashtu për të trajnuar punonjësit e policisë në shërbim të mbrojtjes së fëmijëve dhe në lidhje me hetimet e rasteve të abuzimit të fëmijëve.
Në vitet 2000-2001 ajo ka rishikuar dhe hartuar draft ligjet dhe aktet nënligjore për policinë e Shtetit në bashkëpunim me Misionin e Asistencës Evropiane të Policisë në Shqipëri si pjesë e Grupi të Menaxhimit të Projekteve, në Ministrinë e Brendshme,
Nga Shtator 1996 deri në Qershor 2001, znj.Trimi ishte pjesë e strukturës së analizës në Drejtorinë e Mbrojtjes së Personaliteteve, në Gardën e Republikës.
Znj.Trimi ka mbaruar Akademinë e Policisë. Më pas është diplomuar në Fakultetin Juridik në Tiranë. Ajo ndjekur studimet pasuniversitare në “Drejtim dhe Menaxhimin e Policisë”, Universiteti i Leicester, Mbretëria e Bashkuar. Studimet për Master “Krimi Global, Drejtësia dhe Siguria” i ka kryer në Universitetin e Edinburgut, Skoci. Është certifikuar gjithashtu nga “Programi Ndërkombëtar i Drejtuesve”, Akademia Ndërkombëtare, Bramshill, Mbretëria e Bashkuar; dhe “Akademia Ndërkombëtare e Zbatimit të Ligjit”, Budapest, Hungari;
Gjatë shërbimit në strukturat e rendit ka kryer një sërë kursesh kualifikimi, si: Programi i përbashkët i Policisë së Shtetit Shqiptar për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM); Përgatitja e Reagimit të Bashkërenduar të Komunitetit ndaj Dhunës në Familje; Program i posaçëm për “Të Drejtat e Fëmijëve dhe Trajtimi i tyre nga Agjencitë e Zbatimit të Ligjit”, i administruar nga UNICEF;
Program i Posaçëm “Analiza e Informacionit kriminal në Polici”, nga Policia e Kent, Mbretëria e Bashkuar; Program i Posaçëm: ” Policimi në Demokraci”, Mbretëria e Bashkuar etj.
Znj. Trimi flet rrjedhshëm gjuhën angleze, italiane dhe gjermane.


