Zbardhen detaje të reja nga grabitja e një dite më parë në qytetin e Fierit, ku pas shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vdekur një prej autorëve, Xhuliano Sollaku, 20-vjeç, nga Elbasani.
Grabitësit kanë qenë katër persona, ndërsa një prej tyre dyshohet se ka mbetur i plagosur. Duke përfituar nga errësira, tre prej autorëve mundën të arratisen dhe të humbin gjurmët. Ata tentuan të grabisin banesën e Minella Muçës, ndërsa dyshohet se për realizimin e këtij qëllimi janë ndihmuar nga një fierak i cili ka njohur mirë zonën.
Gjithçka ka ardhur pas informacioneve se djali i Muçës, i cili jeton në Meksikë, ka dërguar te familjarët një transfertë të majme parash. Kjo e dhënë ka rënë në veshët e grabitësve, të cilët kanë mësyrë banesën në orët e para të mëngjesit të ditës së premte.
Por kur tentuan të futen në banesë, familjarët i ndjenë dhe njoftuan menjëherë policinë, e cila mbërriti në vendin e ngjarjes, por u ndesh në breshërinë e armëve automatike dhe pistoleta të autorëve. Bilanci është ai që dihet tashmë, një grabitës i vrarë – ndërsa në radhët e bluve nuk ka pasur të plagosur.


