Nga Beogradi, ku ka zhvilluar një vizitë të paplanifikuar për t’u takuar me Presidentin Aleksandër Vuçiç, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka bërë thirrje që ngjarje si ajo e arrestimit të politikanit serb, Marko Gjuriç, në veri të Kosovës të mos përsëriten.
Sipas raportimeve të mediave serbe, gjatë takimit me Vuçiç, zonja Mogherini ka diskutuar për të ardhmen e dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës dhe normalizimin e marrëdhënieve mes tyre.
Shefja e diplomacisë europiane ka shprehur gatishmërinë për një ndërmjetësim të sinqertë nga BE, por edhe keqardhjen për atë që ndodhi të hënën në Kosovë.
“Ajo që ndodhi dje nuk duhet të përsëritet. BE pret që palët të mbrojnë paqen përmes një qasjeje të bazuar tek vetëpërmbajtja”, citohet Mogherini në një komunikatë të shpërndarë nga zyra e shtypit e presidentit Vuçiç.
Dy bashkëbiseduesit ranë dakord për të gjetur mënyra të reja për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Mediat serbe raportojnë më tej se Vuçiç dhe Mogherini nënvizuan se është në interesin kombëtar të Serbisë që të ruajë stabilitetin dhe paqen në kuadër të rrugës së integrimit në Bashkimin Europian.


