Autoritetet kosovare nuk i dhanë leje zyrtarit serb shefit Marko Gjuriç që të hynte në Kosovë. Këtë fakt e dëshmon edhe një dokument që është publikuar sot në media, një ditë pas arrestimit të Gjuriç në Mitrovicë. Vuçiç akuzoi sot Kosovën, ndërsa u shpreh se Gjuriç kishte njoftuar Prishtinën zyrtare dhe se nga praktika, nuk kishte nevojë për leje.
Por, në një dokument të siguruar nga Gazeta Metro, e vërteta del të jetë ndryshe. Aty shihet se Gjuriç kishte kërkuar leje për hyrje në Kosovë, dhe kjo kërkesë i ishte refuzuar. Në këtë dokument shihet se MPJ e Kosovës i kthen përgjigje negative Marko Gjuriç-it për vizitën në Kosovë. “Për fat të keq ne nuk i përgjigjemi pozitivisht, këtij njoftimi për vizitë”, thuhet në emailin e dërguar.
Presidenti Vuçiç tha se Gjuriç nuk kishte nevojë për leje që të vizitonte Kosovën, por vetëm për informim. “Ajo është bërë si gjithmonë në pajtim me ligjin. Këtu nuk kërkohet leje, por vetëm të i njoftojmë”, ka thënë Vuçiç. Ndërkohë, arrestimi i Gjuriç solli tërheqjen e Listës Serbe nga qeveria e Kosovës.



