Zbulohet “prapaskena” e hetimeve që vulosën fatin juridik të Adriatik Llallës, duke përcaktuar fundin me turp të karrierës së tij pas pesë viteve në krye të Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë.
Llalla akuzohet për pastrim parash, ndërsa regjistrimi i procedimit u bë pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dërgoi një javë më parë zyrtarisht gjetjet për ish-prokurorin e përgjithshëm. Dosja do të hetohet nga kryetarja e Prokurorisë së Durrësit Donika Prela, ndërkohë që organi i akuzës në qytetin bregdetar ka kërkuar informacione nga disa institucione. Për ish-prokurorin e përgjithshëm, akuza e Durrësit ka kërkuar informacione nga Hipoteka, Tatimet si dhe IlDKPI e cila ende nuk ka dërguar pasurinë e Adriatik Llallës që nga koha që ai mori drejtimin e organit të akuzës.
Fati juridik i Llallës është vulosur nga vetë ai, brenda një periudhe kohore prej tri katër javësh, të muajit shkurt-mars të këtij viti.
Në dhjetor të vitit që lamë pas, Llalla u shkarkua në një seancë të rrëmujshme e të zhurmshme të Parlamentit që u mbyll me betimin e Prokurores së re Arta Marku. Ambasadori amerikan deklaroi se në fillim të vitit 2018 do niste edhe kapja e “peshqve të mëdhenj” të korrupsionit.
Në datën 27 janar 2018, u mbushën plot një vit nga periudha kur Llalla kishte dorëzuar deklaratën e vetingut. Pas asaj periudhe ai kishte realizuar edhe tri transaksione të dyshimta me një vlerë prej rreth 600 mijë dollarësh amerikanë, për blerjen e tokave të thuajse një fshatit të tërë në periferi të Tiranës ku kishte blerë edhe më parë mijëra e mijëra metra katrorë tokë. Një lëvizje financiare kjo mjaft e dyshimtë për një zyrtar të një shteti si Shqiperia me një pagë pak më shumë se 1000 euro. Shuma totale e pasurisë që Llalla kishte shtuar në 5 vitet e qëndrimit në detyrë (të deklaruara) i kalonte të 1 milion e gjysëm dollarët.
Kjo i ka bërë punonjësit e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (shkalla e parë e vettingut) që të verifikojnë brenda disa muajsh, më me imtësi këto transaksione dhe të gjitha lëvizjet e dyshimta financiare të ish Kryeprokurorit. Duket se Llalla ka qenë në dijeni të këtij fakti ndaj në datën 11 shkurt, ka nxituar që të dorëzojë një shkresë ku deklaronte se ai do të tërhiqej nga sistemi i drejtësisë.
Me shpresën se duke u larguar nga sistemi, automatikisht pushon edhe vettingu, Llalla u duk se kërkoi të bënte një manovër të fortë shpëtimi.
Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ambasadorit Amerikan Lu i cili tha se ata që kanë frikë nga vettingu, duhet të kuptojnë se nuk mund ti shpëtojnë dot ndjekjes penale për shkeljet që mund të kenë bërë.
Vetëm 4 ditë pas kësaj Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson firmosi ndalimin e Llallës dhe tre familjarëve të tij të tjerë për tu futur në SHBA me motivacionin se ai kishte qenë pjesë e aferave të mëdha të korrupsionit gjatë kryerjes se detyres së Kryeprokurorit.
Provat tashmë ishin në duart e punonjësve të KPK (Komisioni i Pavarur i Kualifikimit) shkalla e parë e vettingut, të cilët bënë regjistrimin e procedimit penal ndaj Adriatik Llallë dhe ia dërguan dhjetë ditë më parë zyrtarisht gjetjet e tyre për ish-prokurorin e përgjithshëm, organit të drejtuar tashmë nga pasardhësja e tij Arta Marku.
Në këtë mënyrë nga mesi i shkurtit deri afër mesit të këtij muaji, brenda 3-4 javësh u vulos fati juridik i Llallës i cili sot është zyrtarisht nën hetim për pastrim parash në përmasa të mëdha.
Përgatiti: Alpenews.al


