Vendimi nuk është surprizë. Më shumë se fjalia e Arta Markut në “Real Story” tek Sokol Balla në “Vizion+” dhjetë ditë më parë, që për Llallën tha se“prokuroria do të marrë mbi vete të gjithë përgjegjësitë”, ish kreprokurori po hetohet edhe pas këmbënguljes nga ambasada amerikane.
Vendimi ishte paralajmëruar me një deklaratë direkte nga Donald Lu, që pas tërheqjes së Llallës nga sistemi gjyqësor u shpreh: “Tërheqja nuk i shfajëson këta ish zyrtarë nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion apo shpërdorim detyre. Ata që kanë frikë nga Vetting-u, duhet të kenë frikë dhe nga hetimet e pashmangshme penale”.
Më 15 shkurt 2018, “Zëri i Amerikës” njoftoi se Departamenti i Amerikan i Shtetit i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara ish Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë Adriatik Llalla.
Vendimi thekson se Sekretari i Shtetit Rex Tillerson, e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.
Ligjet amerikane parshikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në raste madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt, u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara. Ligji po ashtu parashikon që Sekretari i Shtetit ka të drejtë që sanksionet ndaj këtyre individëve dhe familjeve të tyre, t’i miratojë privatisht ose publikisht.
Përveç zotit Llalla, Sekretari Tillerson ka miratur ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes së tij Ardjana Llalla, të vajzës Eni Llalla dhe një fëmije tjetër të tij, që nuk ka shtetësinë amerikane.
Në një prononcim për Wall Street Journal, ish kryeprokurori Adriatik Llalla tha se ishte “i sigurtë se vendimi është marrë bazuar në keqinformimin e dhënë për personin tim nga ambasadori Donald Lu për Departamentin e Shtetit”
Por në të njëjtën ditë, Zëri i Amerikës kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme një qëndrim “nëse do të ndërmerret apo jo ndonjë veprim ndaj ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla, pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit për t’i ndaluar atij hyrjen në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste të mëdha korrupsioni”.
“Alpenews.al” prej disa javësh ka publikuar fakte dhe dokumenta, foto dhe dëshmi që hedhin dritë mbi jetën e shfrenuar luksoze të familjes së ish Kryeprokurorit Llalla por edhe një seri kontratash dhe dokumentash të tjera ligjore, që hedhin dritë mbi pasurinë dhe transaksionet e pronave të paluajtshme që figurojnë me emrin e tij. Bëhet fjalë për ullishta, toka, troje, shtëpi pushimi në plazh dhe akte të tjera shitblerjesh për një fshat të tërë në periferi të Tiranës dhe transaksione me personazhe të botës së krimit dhe njerëz “guacka” prapa të cilit fshihen me siguri persona të tjerë që tani janë nën hetim. Ajo që bie lehtësisht në sy tek të gjitha aktet e shitlblerjes apo pronësisë së Llallës, është fakti se ai i ka blerë ato me çmime shumë të lira e qesharake, e më pas i ka rishitur brenda nje kohe fare të shkurtër, ose i ka rivlerësuar, me çmime ë shkojnë deri në 30 herë më të larta. Sipas ekspertëve të fushës, Llalla ka zbatuar një skemë të pastër të pastrimit të parave të pista të fituara nga aktet e mëdha të korrupsionit ku është përfshirë gjatë kryerjes së detyrës.
Ndërkohë në një shkrim të Deutsche Welle për Adriatik Llallën shkruhej se “Fakte dhe dokumenta zyrtare, të botuara në media, kanë bërë transparente për publikun shit-blerje tokash, ullishtesh, në sipërfaqje të mëdha dhe pasurish të paluajtshme që ish-Prokurori i Përgjithshëm i blinte shumë lirë dhe pasi bëhej rivlerësimi i tyre, i shiste 20-30 herë më shtrenjtë. Dokumentat zyrtare flasin për transaksione financiare me persona me precedentë penalë që lidhen me krime të rënda. Hetimi ndaj ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla është një sinjal se për kulturën e pandëshkueshmërisë, të betonizuar në Shqipëri prej më shumë se dy dekadash, po fillon procesi i ҫmontimit. Burime diplomatike në Tiranë, që ndjekin nga afër këtë proces thanë për DW se rasti i ish-Prokurorit të Përgjithshëm është vetëm fillimi i kapjes së “peshqve të mëdhenj” që do të ndiqet se shpejti edhe nga raste të tjera”


