Një incident ka ndodhur në burgun e Koridhalos në Greqi, ku janë përfshirë tre të burgosur shqiptarë. Rasti është zbuluar nga Sindikata e Punonjësve të Burgjeve në Greqi, e cila denoncon këtë ngjarje dhe akuzon Ministrinë greke të Drejtësisë se e ka mbajtur të fshehtë.
Në një njoftim për mediat, sindikata sqaron se incidenti ka ndodhur të premten e kaluar më 9 Mars, kur një gardian i burgut po mbylltre dyert e izolimit në darkë pasi ishte orari i gjumit, hasi në rezistencën e tre të burgosurve shqiptarë. Ata fillimisht e kërcënuan me thikë dhe më pas e dhunuan. Megjithatë, nuk ishte hartuar asnjë raport për dhunimin e gardianit, dhe Sindikata akuzon Ministrinë e Drejtësisë.
Pas reagimit të Sindikatës së Punonjësve të Burgjeve, ka reaguar edhe Ministria greke, e cila thotë se i është kërkuar një raport gardianit të dhunuar, por ky i fundit ka thënë se bëhet fjalë për një incident verbal me të burgosurit shqiptarë dhe jo dhunë. Pas këtij reagimi, mediat greke kanë sulmuar Ministrinë e Drejtësisë, duke thënë se njoftimin për ngjarjen e ndodhur e kishte publikuar online në faqen e saj në internet, dhe nuk ua kishte shpërndarë gazetarëve të fushës, sikurse bën zakonisht me njoftimet e tjera. /tvklan.al


