Kalimi i LSI në opozitë pas tetë vitesh qëndrimi në pushtet, sigurisht që do të sillte pasoja. Për këtë me siguri që kanë qenë koshientë edhe drejtuesit e saj kryesorë.
Por ajo që duket se po del jashtë çdo parashikimi, përfshi edhe kundërshtarët e LSI dhe Monika Kryemadhit, është shpejtësia dhe thellësia e çarjes, rrjedhjes dhe shkërmoqjes që po pëson kjo parti, e cila deri vetëm pak muaj më parë nxorri slloganin: Forcë e parë, forcë e paparë!
Për një parti që kishte në qendër të raportit të vet me anëtarësinë dhe votuesit çështjen e punësimit dhe pragmatizmin që vjen nga përfitimet që të sjellë pushteti, sigurisht që kalimi në opozitë do kishte pasoja. Por jo deri në këtë pikë sa jo vetëm anëtarësia e vet por edhe më përfaqësuesit e saj kanë filluar ta lenë anijen dhe kapitenen.
Kjo veç të tjerash ka ardhur edhe për shkak se ata që janë LSI-ista të vërtetë e refuzojnë aleancën e saj me PD, që po i shkakton kosto në nivelin lokal Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Pas Vlorës, Fierit, Gjirokastrës, Skraparit e disa njësive të tjera vendore këtë të enjte 4 këshilltarë bashkiakë të kësaj force në Shkodër kanë lajmëruar publikisht bashkimin me Partine Socialiste.
Arsyeja është e njëjta, koalicioni me PD është një koalicion antishqiptar dhe këtë sipas tyre e provojnë kontratat e lobimit të Lulzim Bashës me kompani me pronarë rusë.
“Qytetarët e Shkodrës e dinë fort mirë çdo të thotë kthim nga lindja, pasojat që ka dhe u sjell atyre në kujtesë ditë të errëta. Kemi kërkuar votën e qytetarëve të Shkodrës që tu shërbejmë interesave të qytetit dhe jo interesave të influencave të huaja. Deklarojmë sot përfundimisht largimin nga grupi i këshilltarëve të LSI, largimin nga politika anti-shqiptare e Lulëzim Bashës dhe të koalicionit LSI-PD të bekuar nga qarqet pro-ruse që kërkojnë të marrin peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë.”
Largimet e këshilltarëve të LSI vijnë afro një vit përpara zjedhjeve lokale të 2019. Ne 2015 PS dhe LSI ishin në aleancë dhe fituan shumicën në shumë këshilla bashkiakë, por zgjedhjet parlamentare të 2017 ku socialistet fituan të vetëm një mandat për të qeverisur solli një situatë të re çka u reflektua dhe ne “parlamentet lokale”.
Arrestimet e ish Drejtoreve te LSI per skandalet miliona e miliona dollareshe me tenderat e rrugeve dhe thirrja ne prokurorine e Krimeve te Renda te dy ish ministrave te saj, kane qene nje tjeter goditje e forte per imazhin e kesaj partie, drejtuesit e se ciles po shohin se si po i shembet perpara syve kalaja prej rere qe ndertuan politikisht.


