Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2020, megjithatë do të ketë fuqi të kufizuara.
Negociatori i Bashkimit Europian për Brexit, pas takimin me homologun britanik, David Davis, tha se të dyja palët kanë rënë dakord për një periudhë tranzicioni që do të zgjasë 21 muaj, duke e cilësuar këtë lajmërim si një hap vendimtar.
Periudha e tranzicionit do të zgjasë nga muaji Mars 2019 deri në fund të 2020-ës dhe pritet të lehtësojë bisedat për marrëdhënien e ardhshme që do të kenë vendet.
Gjatë kësaj periudhe, të gjithë ligjet europiane do të vazhdojnë të aplikohen në Britani, por Londra nuk do të ketë fuqi në vendimmarrje që përfshin të ardhmen e Bashkimit Europian.
Periudha e Tranzicionit synon t’i japë bizneseve dhe qytetarëve në Britani dhe Europë më shumë kohë, që të përgatiten për daljen përfundimtare nga blloku, që nisi me referendumin e zhvilluar në Qershor të 2016-ës, citon Scan.tv. Barnier tha se kishte dakordësi në të drejtat e qytetarëve të BE në Britani dhe anasjelltas, pas Brexit.
Ndër çështjet që të dyja palët kishin përgatitur për takimin e sotëm ishin; roli i Gjykatës Europiane të Drejtësisë në Britani, Kufiri me Irlandën e Veriut, të drejtat e qytetarëve si dhe mundësinë e Britanisë për të negociuar marrëveshje tregtare me vendet jo-anëtare të Bashkimit Europian.