Një nga personat që kishte rol drejtues e organizativ në trafikimin e klandestinëve drejt SHBA-ve dhe Kanadasë është edhe biznesmeni 47-vjeçar nga Kruja, Ardian Corri.
Për Policinë ky nuk është rasti i parë për të cilin ai arrestohet dhe dënohet nga drejtësia.
Corri është arrestuar rreth 10 vite më parë, më 21 janar të vitit 2008, gjatë një operacioni të Sektorit Kundër Trafiqeve të Paligjshme dhe Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Krimit të Organizuar, të koduar “Klandestini”.
Bashkë me Ardian Corrin Policia pati arrestuar edhe 3 persona të tjerë, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte nxjerrë urdhërarrestet për akuzën “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Sipas hetimeve të asaj kohe rezultonte se të arrestuarit janë organizatorë të nisjes së skafit me 33 klandestinë më datë 10 janar 2008, nga Patoku, të cilët u ndaluan nga Policia.
Corri ka në pronësi një hotel dhe bar-restorant në plazhin e Shëngjinit, ndërsa në nëntor të vitit të kaluar ka themeluar kompaninë “CorriDl” me objekt “Kërkim, zbulim, shfrytëzim dhe përpunimin e mineraleve të ngurta dhe nikeli në të gjithë zonën, export-import në tregun e lirë industrial si brenda dhe jashtë vendit”. Ky aktivitet, nga një kërkim në QKR, rezulton i pezulluar më datë 31 janar të këtij viti.
Skafisti që u bë biznesmen dhe më pas “shef konsullate”
Ardian Corri është njeriu kryesor që drejtonte një prej gjashtë grupeve kriminale që trafikonin klandestinë në SHBA, Britaninë e Madhe, Kanada dhe vende të tjera të Evropës dhe jo vetëm. Corri njihet nga policia dhe prokuroria si person me të kaluar kriminale, pasi në mars të 2012 është dënuar nga Gjykata e Lartë me 4.8 vite burg për akuzën e trafikimit me skaf të 44 klandestinëve nga grykëderdhja e lumit Mat në drejtim të Italisë.
Mësohet se për këtë veprimtari kriminale Corri në prill të 2009 u dënua nga Apeli i Krimeve të Rënda me 8 vjet burgim dhe 5.333.332 milion lekë. Por ky dënim është ulur në mënyrë të ndjeshme nga Gjykata e Lartë e cila vendosi ta dënojë përfundimisht Corrin me 4.8 vite burgim. Mësohet se pjesë e grupit të Ardian Corrit, ka qënë dhe Lek Frroku. Pavarësisht këtij dënimi, Corri sërisht nuk ka hequr dorë, duke vijuar të trafikojë klandestinë, por këtë herë në mënyrë më të moderuar.
Duke u prezantuar përpara qytetarëve të interesuar për të udhëtuar në SHBA, Angli dhe Kanada, se kishte njohje të forta me njerëz në disa vende, ai do u mundësonte këtyre personave udhëtimin në drejtim të SHBA. Sipas prokurorisë grupi i Ardian Corrit ka qënë me linja transporti të rregullta dhe ishte një nga grupet që në pjesën më të madhe të rasteve garantonin futjen e personave në SHBA.
Bizneset e Corrit e kompania e Nikelit
Shqiptarja.com mëson se Corri disponon një hotel dhe bar-restorant në plazhin e Shëngjinit në Lezhë. Ndërkohë që në 1 nëntor 2017 ka themeluar kompaninë “Corri-Dl” me objekt “Kërkim, zbulim, shfrytëzim dhe përpunimin e mineraleve të ngurta dhe nikeli në të gjithë zonën, export-import në tregun e lirë industrial si brenda dhe jashtë vendit.Mirëpo kur janë mbushur tre muaj nga themelimi i kësaj kompanie, Corri në 31 janar 2018 ka vendosur të pezullojë aktivitetin tregtar të kësaj kompanie.
Si dështoi Corri të trafikonte 44 persona
Sipas dosjes së 2008 në datën 10 janar 2008, rreth orës 20:00, në grykëderdhjen e lumit Mat, nga plazhi i Patokut, është nisur një gomone në drejtim të shtetit Italian, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit të 44 shtetasve. Për realizimin e këtij aktiviteti kriminal rezulton të kenë bashkëpunuar një grup personash, ku kundrejt shumave të konsiderueshme që do të paguheshin nga 44 shtetas, për ndihmën që do t’u jepej për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Ky kalim i paligjshem i kufirit nuk u realizua, pasi gomonia u pikas në det nga autoritetet italiane e për rrjedhojë është kthyer mbrapsht, duke kthyer në bregdetin shqiptar të gjithë shtetasit që kërkonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin. Rezultoi se Ardian Çorri ka kryer veprime të drejtëpërdrejta për realizimin e këtij “biznesi” kriminal. Ky person nëpërmjet njohjeve të tij ka arritur të gjejë rreth 15 deri 20 persona, të cilët kishin interes për të emigruar në Itali, dhe po kaq persona i ka gjetur Gezim Tafaj, kryesisht nga fshati Lekaj Kavajë dhe nga rrethe të tjera të vendit.




