Ndryshimi i formulës së llogaritjes së taksës së ndërtesës do të përfshijë edhe bizneset.
Nga 1 prilli, çdo dyqan do të paguajë një taksë vjetore prej 0.2 për qind të vlerës së ndërtesës. Më parë taksa ishte fikse 400 lekë/m2 në vit për zonën Tiranë-Durrës, 300 lekë/m2 në vit për Vlorën, Fierin, Sarandën, Pogradecin, Korçën, Elbasanin, Beratin, Lushnjen, Gjirokastrën, Shkodrën, Kavajën dhe Lezhën, kurse për bashkitë e tjera taksa ishte 200 lekë/metri kator në vit.
Qeveria ka publikuar çmimet mesatare të referencës për secilën bashki, e ashtu si me banesat, kryesojnë me nivelin e taksës Tirana dhe Durrësi.
Në Tiranë, taksa për një dyqan në ish-Bllok dhe zonat brenda Unazës, si për shembull “Myslym Shyri”, është disa herë më e lartë sesa në zonat e tjera të kryeqytetit.
Ndërkohë në rang vendi, taksat më të lira janë në bashkitë e largëta malore, apo qytete thuajse të braktisura, si Memaliaj.
Krahasuar me formulën e taksës së vjetër kemi të bëjmë me rritje të taksës së ndërtesës për dyqanet në të gjithë vendin.
Duke marrë si shembull një dyqan që ka një vlerë prej 100 mijë eurosh, me formulën e re taksa shkon në 200 euro në vit. E njëjta mënyrë taksimi vlen për të gjitha dyqanet në të gjithë vendin.
Edhe pse formula e matjes do të ndryshojë, jo të gjithë do të paguajnë taksën e pronës. Qeveria ka menduar të përjashtojë kategoritë e personave në nevojë.
Kështu, kryefamiljarët pensionistë në qytet apo fshat, kur jetojnë vetëm nuk do të paguajnë taksën e banesës.
Edhe ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përjashtohen nga taksa, ashtu si ndërtesat e banimit që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara dhe banesat sociale në pronësi të bashkive.
Më pas, në listën e përjashtimit, të përcaktuar në ligjin e miratuar në nëntor të vitit 2017, janë të gjitha pronat shtetërore që përdoren për qëllime jofitimprurëse, pasuritë shtetërore nën administrimin e shoqërive publike shtetërore, ndërtesat e komuniteteve fetare në funksion të veprimtarisë së tyre, si dhe objektet e kulturës.
Qeveria ka menduar të përjashtojë nga taksa e pronës edhe hotelet/resortet me 4 dhe 5 yje, që marrin “status special” po me vendim qeverie. Kjo masë, sipas saj është marrë për të stimuluar sektorin e turizmit.


