Ka shumë fjalë të urta popullore të cilat vijnë nga përvoja shumë të gjata jetësore, derisa marin vlerën e një aksiome, për tu zbatuar pa u menduar gjatë apo pa u vënë në diskutim. Njëra prej tyre, shumë e njohur dhe e përdorur, është ajo që të gjithë ne e formulojmë përmendësh: Heshtja është flori! Një shprehje që më është kujtuar disa herë këto ditë, sapo shpërthyen dhe vijuan debatet në lidhje me një shkrim të revistës amerikane “Mother Jones” rreth fondeve që PD dhe kryetarit të saj Lulzim Basha, kanë paguar për aktivitetet e lobimit në SHBA, para zgjedhjeve të 25 qershorit të vitit të kaluar.
Lulzim Basha ka folur dy herë publikisht në lidhje me këtë çështje në dy kohë të ndryshme, duke thënë të vërtetat e tij rreth kontratës me kompaninë lobuese “Muzin Capitol Partners”, e cila deklaron se ka marë 675 mijë USD nga PD të ndara në tri pjesë. Njëra në shumën e 150 mijë USD. E dyta prej 25 mijë USD dhe e fundit prej 500 mijë USD. Basha ka pranuar vetëm pagesën më të vogël, ndërkohë që e para figuron e paguar për PD nga “Biniatta Trade LP” me bazë në Skoci. Një firmë e cila “guackë” pas firmash “guckë” që fshehin pronarin e vërtetë nëpër parajsa fiskale, të çon tek dy rusë që zotërojnë 75% të aksioneve të saj. Njëri prej tyre, sipas mediave, rezulton se ka qenë ish agjent i shërbimit të vjetër sekret rus, KGB.
Investigimi i gazetarëve u bë nisur nga një shqetësimi i përgjithshëm në SHBA rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale për të cilën po zhvillohet edhe një hetim federal dhe për mundësinë e “blerjes së ndikimit amerikan, me para ruse në Ballkan”. Kjo konvergon edhe me rritjen e aktivitetit dhe ndikimit rus në rajon, shqetësim i shprehur pak ditë më parë, edhe nga Kryekomandanti i trupave amerikane në Europë.
Fillimisht Basha e mohoi kategorikisht dijeninë se për PD ka paguar 150 mijë USD një kompani me aksionerë ruse, ndërkohë që edhe 500 mijë USD e tjera, mbeten ende të pa sqaruara. Pas mohimit kategorik filleshtar, Basha u hodh në kundërsulm duke akuzuar Edi Ramën për takime me biznesmenë rusë e turq që kanë investuar në Rusi. Ndërsa tani ka kaluar në një faze të re të menaxhimit të kësaj situate. Në fazën e heshtjes.
Në vend që të harrohet dhe ky debat të mbyllet, po ndodh e kundërta. Sa më shumë Basha hesht, aq më shumë po shtohen akuzat dhe presioni ndaj tij, për të folur. Eshtë një presion që po i vjen nga të gjitha anët. Një persion që vjen nga qeveria. Një presion që po i vjen nga aletatët historikë dhe të rinj. Një presion që po i vjen nga amerikanët, nëpërmjet Ambasadorit Lu që i shkoi enkas në zyrë, por jo vetëm. Një persion që po i vjen nga BE dhe Britania. Nga media dhe opinion publik, po e po. Por, edhe nga brenda vetë partisë së tij, nëpërmjet zërash me peshë dhe autoritarë.
Pavarësisht të gjitha këtyre, Lulzim Basha ka zgjedhur me sa duket, rrugën e heshtjes deri në fund. Një rrugë që në politikë nuk është se të shpërblen gjithmonë. Liderët politikë vihen shpesh ose rrallë në pozita të vështira. Sa më shpejt janë përballur hapur dhe drejtpërdrejtë me to, aq më shpejt dhe më lehtë ia kanë dalë për të rifituar mbeshtetjen popullore dhe të partive të tyre. Kujtojmë këtu momentin kur Edi Rama u përball me botimin e fotove nudo, që pas pak minutash shkoi tek ”Venue” në Tiranë dhe u foli të rinjve hapur. Pas kësaj mbështetje popullore për të, në vend që të binte, u rrit akoma edhe më shumë. Në të njëjtën mënyrë e menaxhoi edhe Bill Klinton, aferën seksuale me një stazhiere të Shtëpisë së Bardhë i njohur si skandali “Lewinsky”. Sikundër vonesa e përballjes dhe mungesa e sinqeritetit në momentin e duhur, e detyruan Presidentin amerikan Nixon që të jepte dorëheqjen për skandalin e “watergate”-s. E kështu me radhë.
E megjithatë, Lulzim Basha me sa duket ka zgjedhur përsëri të heshtë. Ka shumë shprehje dhe variacione shprehjes në lidhje me heshtjen dhe me cilësitë e saj, në situata dhe rrethana të ndryshme jetësore. Si përshembull:
“Heshtja është flori, fjala është argjend”.
“Heshtja është e hidhur por frutin e ka të ëmbël.”
“Fjala është si bleta, që e ka edhe mjaltin brenda.”
“Një njeri që ka shumë fjalë, mundet edhe nga një shurdh.”
“Ai foli me heshtjen e tij!”, etj.
Nuk e di se në cilë prej tyre, apo shumë shprehjeve të tjera, beson kryetari i PD se do ta ndihmojë në këtë rast. Unë besoj se kemi të bëjmë me njërën ndër të paktat raste, kur “heshtja nuk është flori”!


