Disa ditë më parë pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë, një 34-vjeçari i shpërtheu në dorë një celular të cilit po i montonte një minë.
Mbetet ende mister se si autori, Gentian Hoxha, e bënte këtë “tregti”, në mes të Tiranës, në një nga zonat më të populluara, fare prane Ambasadës amerikane, pa iu dridhur qerpiku.
Hoxha prodhonte dhe shiste mina me telekomandë dhe nje e tillë shpjegojnë burimet kushtonte deri në 2000 Euro.
NGJARJA
Rreth orës 10:40, një shpërthim i fuqishëm ndodhi në një dyqan servis celularësh në rrugën “Qamil Guranjaku”, në kryeqytet. Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk pati viktima, por vetëm një person të plagosur dhe dëme të shumta materiale, në dyqanin ku ndodhi dhe në godinat e bizneset përreth.
Policia tha se personi i plagosur është pronari i dyqanit, Gentian Hoxha, 34 vjeç, i cili ka marrë dëmtime të rënda dhe është transportuar për në spital. Policia mbërriti menjëherë në vendngjarje dhe konstatoi se lënda shpërthyese ka qenë brenda dyqanit dhe vala e goditjes ka qenë nga brenda jashtë.
Ekspertë të njësisë antieksplozive e kriminalistë kanë përcaktuar se vatra e shpërthimit ka qenë në tavolinën e punës së 34-vjeçarit. Ndërsa i riu ndodhej i vetëm në dyqan e derën e kishte mbyllur me çelës nga brenda. Ky veprim ka shtuar dyshimet se në ambientet ku ndodhi shpërthimi mund të jetë kryer aktivitet i kundraligjshëm.
Gentian Hoxha, i cili mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi, është marrë edhe më parë me montimin e lëndëve plasëse në celular. Ai kishte marrë një dyqan me qira, për të kamufluar punën që kryente. Në këtë ambient, Hoxha kishte krijuar një dhomë të dyfishtë për të fshehur detonarorët dhe kapsollat.
Detajet e reja: Mësohet se lëndën shpërthyese, 34-vjeçari e siguronte në qytetin Fushë-Krujës. Gjithashtu edhe tregu kryesor për tregtimin e bumbave të cilat aktivizohen në distancë ishte edhe Durrësi apo Kruja, pohojnë burime nga policia kriminale e Tiranës.
Gentian Hoxha, që mbeti i plagosur pasi ishte duke montuar një mine me celularë në dyqanin e tij në rrugën “Pjetër Budi”, nuk mund të flasë dhe të dëgjojë sipas mjekëve, pasi ka shumë dëmtime në kokë e gjymtyrë.
AlpeNews.al



