Monika Kryemadhi, pas një kohe të gjatë mungese, ka dalë sot në një konferencë për shtyp.
Ajo është shfaqur më e butë se zakonisht, madje ka ftuar Ramën për bashkëpunim.
“Ne jemi një komb i vogël, por që shpresat e ëndrrat i kemi shumë të mëdhaja.
Vitet e rilindjes janë kthyer në vite ankthi, ku e vetmja rilindje është ajo e krimit, e drogës, e trafikut.
Janë vite që ngjallën mungesë shprese.
Të gjithë jemi sot përballë sfidës së mbijetesës së një brezi të tërë, që po largohet nga Shqipëria.
Shqiptarët duhet të kthehen dhe të marrin në dorë fatet e tyre, po kalojmë një situatë tepër dramatike.
Na duhen mbi 60 vjet të bëhemi si vendet tjera.
Nuk mund të reflektosh po nuk pranove realitetin.
Është njerëzore të bësh gabime, por djallëzore të mos i pranosh ato.
Heqja nga skema e ndihmës ekonomike të 20 mijë familjeve nuk është zgjidhje e nxjerrjes nga skamja, por i fut ato në qerthullin e korrupsionit, manipulimit, i bën ato një kamxhik politik në duart e politikës”, tha kryetarja e LSI.
Ajo ndërkohë ka kujtuar edhe historinë e çizmes, me të cilën tentoi të gjuante kryeministrin Edi Rama në Kuvend.
“Troç muhabeti kur unë të jem 104 vjeç do bëhemi si Europa.
Jam e sigurt që nipërit e mi do më thonë: T’u thaftë dora që ajo çizmja jote nuk i ra në kokë Ramës ta shkundte këtë vend dhe të bëhej diçka më e mirë”, tha Kryemadhi.
Kryetarja e LSI ndërkohë ka deklaruar se reforma në drejtësi është vendosur në pikëpyetje të madhe.
Sipas saj, kjo reformë ka përfunduar një unazë në gishtat e duarve të krimit të organizuar dhe një bizhu në sirtarët e tyre.
“Reforma në drejtësi është vendosur në pikëpyetje të madhe, nuk është më ajo reforma që aspironin shqiptarët, që do t’i bënte ata më pak të varfër e të sigurt, që do të luftonte krimin, trafikun e drogës e korrupsionin.
Ajo është kthyer në një unazë në gishtat e duarve të krimit të organizuar, një bizhu në sirtarët e tyre.
Lufta kundër drogës vazhdon të mbetet një sfidë. Qeveria të lërë propagandën e saj dhe të merret seriozisht më këtë çështje, një ditë do të paguajnë”, tha Kryemadhi.(TemA)