Arbjan Mazniku, pjesë e këshillit mbikëqyrës së Tiranës. Administratori i ri është sërish Refik Halili
Tirana ka mundur më në fund të zhvillojë disa veprime në QKR, duke rikonfirmuar administratorin e saj Refik Halili deri më 26 janar 2021. Po kështu në mbledhjen e fundit të asamblesë së klubit është shtuar anëtari i ri Arbjan Mazniku, që ka një mandat trevjeçar, prej datës 22.1.2018 deri më 22.01.2021. Mazniku, nënkryetar i Bashkisë, ka zënë vendin e ish-anëtares Dhurata Tyli. Janë konfirmuar edhe anëtarët e tjerë Andon Kokoli e Valentina Çakuli.
Po kështu, nga klubi Tirana janë miratuar edhe bilancet financiare të viteve, 2014, 2015 dhe 2016, duke qenë shumë pranë rregullsisë financiare , pasi prej vitesh, kjo shoqëri nuk miratonte dot bilancet. Edhe pse bardheblutë kanë bërë ndryshime të mëdha në regjistrin e QKR-së, një tjetër problem i ka dalë rrugës. Një hotel në Tiranë u ka vënë sekuestron e radhës konservative. Fjala është për një “Bar-restorant, hotel”, ku bardheblutë kanë fjetur kanë ngrënë pirë dhe ende nuk kanë paguar paratë. Borxhi i 2012-ës është rreth 13 milionë lekë të vjetër dhe kërkuesi, duke parë që nuk po paguhej nga bardheblutë ka marrë një vendim gjykate, i cili përbën udhër ekzekutiv dhe detyron Tiranën të kthejë paratë, plus interesat. Veç borxheve të mëparshme, bardheblutë, duhet të paguajnë edhe 13 milionë lekë për një muaj qëndrim në një nga hotelet e Tiranës.


