Me tone të forta ka reaguar sot kreu i PD-së, Lulzim Basha, teksa u ndal në situatën më të fundit të rendit dhe të sigurisë në vend, e duke akuzuar për gjendjen kreun e qeverisë, Edi Rama.
Basha e ka nisur fjalën e tij me një mesazh ngushëllimi për fierakun që humbi jetën pasi i erdhi në ndihmë pronarit të pikës së këmbimit valutor që u grabit dje në Fier.
“Ky qytetar tentoi të mbronte vetë biznesin e lënë në mëshirë të krimit, jeta dhe prona janë nën kërcënimin e përditshëm të krimit dhe drogës. Vetëm dje kanë ndodhur 4 grabitje me armë. Javët e fundit po shohim realitetin e vërtetë të krimit në vend. Drogë lumë drejt Evropës, grabitje me armë të bankave dhe bizneseve, vrasje mafioze dhe përplasje bandash në mes të ditës, cikli i krimit po thellohet”- tha Basha.
Sipas tij, tashmë në vend është kaluar nga marijuana në heroinë dhe kokainë, nga grupet e vogla, në organizata ndërkombëtarë që drejtohen nga krimi shqiptar. Ai akuzoi Ramën se po investon për propagandë, njësoj si skema e përdorur më parë. “Skemë që përdori për të bindur shqiptarët dhe botën se në vend nuk kishte drogë, pse policia ishte e përkushtuar dhe Tahiri ishte më shembullori, besimi i kësaj propagandë do të kishte pasoja fatale për vendin, Rama nuk reformohet dhe nuk çlirohet dot se është i zhytur thellë në të. Ata që e sollën krimin nuk e luftojnë dot, për sa kohë që Rama do të jetë në krye të qeverisë nuk ka asnjë shpresë për luftë kundër krimit, nuk do të ketë drejtësi, Tahiri do të jetë i paprekshëm, Dako do sundojë Durrësin e Sejdini Elbasanin, Tirana do të jetë lavatricja e pastrimit të parave të pista, për sa kohë Rama është në pushtet do kapen vetëm shofer e punëtorë krahu, por jo kokat e krimit”.


