Më herët u bë me dije se dymbëdhjetë amendime kontratash janë bërë në rrugën Tiranë-Elbasan nga ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Dashamir Xhika dhe dy ish-vartësit e tij Aksel Qurduka dhe Albens Alite të arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda këto ndryshim janë kryer në kundërshtim me ligjin, pasi është shmangur Këshilli Teknik i ARRSH-së dhe bordi drejtues.
Hetuesit thonë se tre ish-zyrtarët kanë urdhëruar financime të pajustikuara në këtë projekt, punime të cilat nuk janë kryer, ndërsa paratë janë marrë në formën e korrupsionit.
Dëmi ekonomik ndaj buxhetit të shtetit, sipas prokurorëve, është rreth 37 milionë dollarë.
Në gjitha amendimet e kontratës – shkruhet në dosjen hetimore – Dashamir Xhika ka shmangur bordin drejtues të ARRSH-së, i cili sipas ligjit është organi që merr vendime të tilla.
Madje këto amendime në disa raste nuk kanë as datën e miratimit të tyre. Data nuk përcaktohet as nga materialet shoqëruese.
Prokuroria thotë se amendimet 5 dhe 6 janë nënshkruar nga Xhika pa prezencën e asnjë përfaqësuesi të Drejtorisë së Njësisë së Menaxhimit të projekteve edhe pse kjo drejtori prekej direkt pasi janë bërë ndryshime teknike.


