Tritol banesës së kryetarit të Bashkisë së Matit, Nezir Rizvani. Lënda plasëse është vendosur nga persona ende të paidentifikuar afro dy metra larg apartamentit të kryebashkiakut.
Sipas Policisë, sasia prej rreth 100 gramësh tritol ka shpërthyer në orën 00:40, duke shkaktuar dëme te disa apartamente në pallatin pesë- katësh. Banorët janë zgjuar të tmerruar pasi dyert e tyre të blinduara janë shkallmuar.
Pjesëtarët e familjes Basha, fqinjë të kryetarit të Bashkisë, fillimisht kanë njoftuar Rizvanin për ngjarjen pasi ai ndodhej në Tiranë me familjen dhe më pas kanë telefonuar Policinë.
“Jemi tmerruar nga shpërthimi. Dyert u hapën të gjitha. Fëmijët qanin nga frika. Problemet që dikush mund të ketë me të nuk mund t’i zgjidhë duke rrezikuar jetën e banorëve të këtij pallati”, tha njëra nga banorët e katit të tretë, dera e së cilës është dëmtuar rëndë.
Policia tha se lënda plasëse ishte vendosur në sheshpushimin e brendshëm të pallatit ku për pasojë janë dëmtuar pjesërisht dy dyert e banesave të kreut të bashkisë dhe fqinjit të tij përballë, si dhe disa dyer të tjera të pallatit, kryesisht ato të katit të katërt dhe të tretë. Shpërthimi ka shkaktuar një gropë në cepin e jashtëm të dhomës së gjumit të kryetarit të bashkisë, shkruan “Panorama”.
Ndërkohë janë dëmtuar dhe muret në afërsi të derës së kryebashkiakut.
“Një fqinja ime më telefonoi rreth orës një pas mesnate. Më tha se është vënë tritol afër shtëpisë. Unë nuk kam konflikte personale me askënd në rrethin e Matit. Nuk arrij të kuptoj cili ka qenë qëllimi i këtij akti. Kam bindje se ky është një presion ndaj meje si kryetar bashkie. Nuk mendoj se kjo është rruga për të zgjidhur ndonjë keqkuptim. Organet e specializuara duhet ta zbardhin të vërtetën. Një javë më parë, një tjetër shpërthim ka ndodhur në qytetin e Burrelit. Këtu ka pasiguri, ka panik. Kam dëshmuar në prokurori dhe jam i gatshëm të bashkëpunoj për zbardhjen e ngjarjes”, theksoi Nezir Rizvani.
Dyshimet e para të Policisë janë se ngjarja lidhet me detyrën e kryetarit të Bashkisë, madje thuhet se ajo lidhet me tenderin e pastrimit të qytetit, me vlerë 80 milionë lekë të rinj. Tri firma kanë konkurruar javë më parë dhe bashkia nuk e ka shpallur ende fituesin.
/AlpeNews.al/






