Televizioni Publik Shqiptar njofton sot se kompania “Gener 2” do të ndërtojë aksin Thumanë-Kashar.
Sipas raportimit të TVSH, kompania është vetëofruar dhe me projektin e vet synon ndërtimin e një rruge me katër korsi dhe në të cilën do të ketë 12 ura.
Propozimi është vlerësuar me bonus pikësh nga qeveria shqiptare.
Mënyra e ndërtimit është në kuadër të projektit “Një miliardë për rindërtim”, që parashikon ndërhyrje në infrastrukturë me kapitalet e privatëve dhe shlyerjen e tyre me paratë e buxhetit të shtetit më pas.
Në rastin konkret projekti ende nuk është miratuar, por TVSh raporton se kompania ka kërkuar edhe mirëmbajtjen e rrugës për 8 vjet.
Surpriza ende nuk ka ardhur: Rruga është vetëm 20.8 km dhe për ndërtimin e saj kërkohen 244.2 milionë euro.
Pyetja që shtrohet është si do të sigurojë kompania kaq para dhe e dyta, a vlen vërtet ndërtimi i një rruge e cila na kushton 12 milionë euro për një kilometër?


