Kryeministri libanez, Saad Hariri njoftoi sot në mënyrë krejt të papritur dorëheqjen duke akuzuar Hezbollahun shiit dhe aleatin e tij iranian për ”kontroll të fuqishëm” ndaj Libanit dhe se po i rrezikohej jeta.
“Jap dorëheqjen nga posti i kryeministrit”, deklaroi Hariri, i cili ndodhet aktualisht në Arabinë Saudite, në një deklaratë të transmetuar nga kanali satelitor Al-Arabiya.
Dorëheqja një vendim i papritur edhe për klasën politike, vjen një vit pas emërimit të Hariri dhe shkaqet nuk janë ende të qarta për momentin.
Lëvizja e fuqishme e armatosur e Hezbollahut shiit me të cilin Hariri është në konflikt është pjesë e qeverisë së tij.
Zyra e shtypit e presidentit, Michel Aoun njoftoi se ky i fundit priste kthimin e Haririt për t’u informuar në lidhje me rrethanat e dorëheqjes që e shtynë të merrte këtë vendim të papritur dhe për të vendosur për situatën në vijim.