Partia Demokratike sfidon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ditë pasi Uashingtoni zyrtar futi në “Listën e Zezë” ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla.
Si të mos kishte ndodhur asnjë gjë dhe pa dhënë asnjë koment për mandatën e ardhur nga Uashingtoni për Adriatik Llallën, të cilin PD e mbrojti fort dhe kërkonte ta kishte ende kryeprokuror, sot ka kërkuar shkarkimin e pasardhëses së tij, Arta Marku.
Opozita kërkon që kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku të shkarkohet dhe të nisë procedura e zgjedhjes së një prokurori të përkohshëm të përgjithshëm, sipas këtyre amendamenteve:
Këshilli aktual i Prokurorisë do të kryente funksionet e prokurorit të Përkohshëm me vendime kolegjiale, ndërsa aplikimet për kryeprokuror të Përkohshëm mblidhen nga Gjykata Kushtetuese dhe jo Kuvendi.
Në finale duhet të jetë një kryeprokuror me 3/5 dhe që të ketë kaluar me sukses vettingun.
Që vettingu të kryhet, opozita propozon që lista e 5 më të mirëve që do të rendiste Gjykata Kushtetuese të verifikohet me prioritet nga Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit brenda 30 ditëve.
Më pas nëse nga kjo listë nuk cakton dot një kryeprokuror të përkohshëm me 84 vota, do të konsiderohet i zgjedhur ai që Gjykata Kushtetuese ka renditur të parin.
Kërkesa e opozitës është bërë në mbledhjen e përbashkët mes Këshillit të Legjislacionit dhe komisionit parlamentar të ligjeve për të diskutuar për amendamentet e 35 deputetëve të opozitës.
Nisma e PD-së vjen në një kohë, kur kryeprokurorja e re Arta Marku ka marrë mbështetje publike nga SHBA dhe BE dhe ka shkundur Prokurorinë brenda një kohe të shkurtër që nga zgjedhja e saj, duke hapur një sërë dosjesh korruptive.
Dosje të cilat ishin mbyllur nga “beniamini” i opozitës, Adriatik Llalla.(TemA)


