• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 7 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

7 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
EDMOND TUPJA/ Në autobus
Home
Blog

EDMOND TUPJA/ Në autobus

12 February, 2018 Redaktor2 Blog

Rrallëherë i hipi autobusit, por – ç’fat që kam! – kur ia hipi, shpesh dëgjoj gjëra fort interesante, madje, nga më interesantet që më kanë zënë veshët, nganjëherë edhe sytë (mjerisht, nuk mund të pohoj të njëjtën gjë për hundët). Kështu më ndodhi pardje. Kishte njerëz shumë, por ia dola të ulesha sepse një zonjushë, mjaft e sjellshme, më lëshoi vendin e saj, duke më dhuruar edhe një buzëqeshje të dëlirë. Përballë kisha dy zonja të reja. Që po bisedonin. Me zë të ulët.

Për të mos shqetësuar të tjerët. Mirëpo unë isha aq pranë atyre saqë, dashur, padashur, nuk mund të mos i dëgjoja. Që të mos dukesha kureshtar për ato që po i thoshin njëra-tjetrës, ktheva kokën nga ana e dritares dhe nisa të sodisja peizazhin e rrëmujshëm të Tiranës kaotike nga ish-uzina me emrin e diktatorit tonë të llahtarshëm deri në ish-kombinatin e tekstilit me emrin e një ish-diktatori tjetër po aq të llahtarshëm, por të huaj. Zonjat e reja në fjalë po flisnin për fëmijët e tyre. Më saktë, për mbarëvajtjen e tyre në mësime.

Tema e bisedës më tërhoqi kryesisht për faktin që mbi tridhjetë vjet të jetës sime ia kam kushtuar arsimit, që nga i larti (bachelor & master, siç thuhet sot në shqipe të shpërfytyruar) deri te cikli i lartë i shkollës tetëvjeçare në Gramsh, ku kreva famëkeqin “qarkullim të kuadrove” në kohën e diktaturës hoxhiste. Tek ndiqja, pra, pa rënë në sy, bisedën e dy zonjave të reja, mësova diçka të pazakontë në lidhje me arsimimin e fëmijëve në fillore, pra, në ciklin e ulët të shkollës nëntëvjeçare. Të dyja zonjat e reja i kishin vajzat gati moshatare, të cilat frekuentonin shkolla të ndryshme në mes të kryeqytetit.

Por ato – nënat e tyre – ndanin të njëjtin shqetësim: vajzat shpesh u thoshin se “mësuesja sot nuk na e shpjegoi mësimin e ri, ajo na tha ta mësojmë nga libri, në shtëpi, me ndihmën e prindërve, pastaj, herën tjetër, do t’i bëjmë ushtrimet në klasë.” Mësova gjithashtu se për cilat lëndë bëhej fjalë konkretisht: njëra ishte dituria e natyrës, tjetra ishte gjuha. Në vijim të bisedës së tyre, mora vesh se që të dyja, nga halli dhe jo nga malli, kishin filluar të “bënin mësuesen” në shtëpi, d.m.th., së pari e lexonin mësimin vetë dhe së dyti, përpiqeshin seriozisht t’ia bënin të kuptueshëm secila fëmijës së saj, ndonëse kishin kryer, që të dyja, studime, por në fusha që nuk kishin fare lidhje të drejtpërdrejta me dy lëndët e përmendura më lart, madje as me pedagogjinë e didaktikën për të miturit.

U kërkoj, sigurisht, ndjesë lexueseve e lexuesve të mi për këtë hyrje disi të gjatë, por sjellja e dy mësueseve në fjalë më la pa mend e pa gojë. Pa mend e pa gojë sepse gjithë përvoja ime në mësimdhënie ra poshtë! T’u thuash nxënëseve dhe nxënësve të ciklit të ulët “mësojeni mësimin nga libri”, më shtyn të bëj disa vërejtje themelore, sipas mendimit tim modest, të paktën: së pari, ç’mësuese apo mësues mund të jesh kur harron se një lëndë nuk mund të mësohet veçse përmendsh nga libri, në një kohë që, qysh në lashtësi, Sokrati praktikonte me nxënësit e tij majeutikën, këtë metodë pedagogjike që nxit të menduarit intelektual aktiv, dhe se në shekullin XVI, filozofi e pedagogu francez Montaigne shkruante që “savoir par cœur n’est pas savoir” (të dish përmendsh nuk do të thotë të dish); së dyti, fëmijët e shkollave fillore kanë absolutisht nevojë për ndihmën e mësueses apo të mësuesit, pikërisht se janë fëmijë, pra, të mitur, dhe jo gjimnazistë apo studentë, pra, të rritur (të cilët gjithashtu deri diku, kush më shumë e kush më pak – kjo varet edhe nga lënda apo tema e leksionit – kanë nevojë për shpjegimet e orientimet e pedagogeve apo të pedagogëve); së treti, në klasë të shpjeguarit e mësimit për të miturit duhet të jetë një lloj shëtitjeje intelektuale, gjatë së cilës nxënëset e nxënësit duhet të përftojnë nga mësueset apo mësuesit edhe mënyrën e përvetësimit të dijeve të reja, çka nuk realizohet vetëm me një “më- simin mësojeni nga libri”!

Përkitazi me sa u shtjellua më lart, do të doja që zonja Ministre e Arsimit të japë kushtrimin në shkollat tona të të gjitha niveleve, pra, që nga arsimi parashkollor e cikli i ulët i shkollës nëntëvjeçare deri në sistemin universitar, se cilë- sia e shkollimit dhe, më gjerë, ajo e edukimit të ndërgjegjeve janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e afërt të brezave të rinj, në mënyrë që të mos thuhet më se shkollat shqiptare po nxjerrin “gjysmanalfabetë me diploma”.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Emri i Maqedonisë/ Grubi: Jemi më afër se kurrë zgjidhjes së çështjes
Previous article Çfarë po ndodh këtu? Anaid Kaloti në shtëpinë e moderatores së famshme shqiptare (FOTO)

Redaktor2

Postime të ngjashme

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT