Një akt të shenjtë. Kështu e ka konsideruar konsulli grek në Gjirokastër, Vasilis Tolios, zhvarrosjen për identifikimin e eshtrave të ushtarëve grekë në luginën e Vjosë në Tepelenë, që vijon prej më shume se 20 ditësh.
Sipas Vasilis Tolios përfundimi me sukses i këtij procesi do të ndikojë edhe në marrëdhëniet mes dy vendeve, dhe do t’i shërbejë mirëkuptimit të mëtejshëm.
“Punimet në Dragot vijojnë, dhe nëse ka probleme ato janë të një natyre teknike. Duke e konsideruar këtë akt si diçka të shenjtë, përfundimi i tij me sukses do ti shërbejë mirëkuptimit të mëtejshëm mes dy vendeve. Të dy popujt kanë meritën për një bashkëpunim, mirëkuptim dhe mirëbesim më të madh se ky i deritanishëm”, tha ai.
Nga Gjirokastra konsulli grek apeloi se është e nevojshme të kapërcehen kufijtë e politikës dhe të ketë mirëkuptim reciprok mes dy vendeve.
“Aktivitete të tilla janë shumë të rëndësishme për marrëdhënien mes dy vendeve. Gjuha është një element i përbashkët. Ekzistenca e departamentit të greqishtes është element i rëndësishëm i suksesit të aktivitetit. Aktiviteti i sotëm shumë i rëndësishëm për bashkëpunimin mes dy universiteteve, por edhe dy vendeve fqinje. Të kapërcehen kufijtë e politikës në mirëkuptimin reciprok mes dy vendeve”, vijoi ai.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Greke, konsullata greke në Gjirokastër organizoi një
aktivitet në universitetin “Eqrem Çabej”. Takimi bëri bashkë rektorë të universitetit të Janinës, kryetarin e PBDNJ-së Vangjel Dule, personalitete të gjuhës e letërsisë greke, si dhe profesorë e studentë të Universitetit të Gjirokastrës.


