Sot u mbajtën zgjedhjet për kreun e ri të Federatës Shqiptare të Futbollit në Durrës, ku kandidatë ishin Armand Duka, Bashkim Fino dhe Shpëtim Hala.
Armando Duka u rizgjodh për herë të pestë radhazi në krye të FSHF, duke triumfuar ndaj dy kandidatëve të tjerë.
Presidenti nuk u zgjodh që në raundin e parë pasi askush nga kandidatët nuk plotësoi 2/3 e votave.
Armand Duka kishte 39 vota, Bashkim Fino 22 vota, Shpëtim Hala asnjë votë, ndërsa katër vota u shpallën të pavlefshme.
Sipas rregullores duhej të zhvillohej një raund i dytë votimi, ku në garë ishin vetëm Bashkim Fino dhe Armand Duka, ndërsa Shpëtim Hala u skualifikua.
Raundi i dytë do të sillte edhe fitoren e Armand Dukës me 38 votave, kundrejt 24 të Bashkim Finos.
Pas përfundimit të zgjedhjeve Duka do të shprehej i kënaqur me zhvillimet e Asamblesë së FSHF, duke vlerësuar besimin ndaj tij.
E kundërta do të ndodhte me Finon i cili do të uronte Dukën për fitoren por do të kontestonte rezultatin e zgjedhjeve, si një proces të parregullt.


