Dosja e hetimeve të çështjes ‘CEZ’ është rikthyer edhe njëherë në vëmendje të mediave.
Burime nga Prokuroria thuhet se është kërkuar dëshmia e Nuel Kalajt, një person me dy adresa të cilat janë ekzaktësisht në Kosovë dhe në Francë.
Kalaj mendohet të jetë një prej personave të cilët do të dëshmojnë lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë në profilin e tij të ‘Facebook’-ut mund të gjejmë këto foto të cilat ne i kemi shkëputur duke sjellë një pjesë nga jeta e tij përtej drejtësisë.
Nuel Kalaj: “Marrëdhëniet e mia me Shkëlzen e Sali Berishën. Tërhoqa 7 milionë euro brenda ditës”
Nuel Kalaj mohon çdo lidhje me djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzenin. Duke folur për gazetën “Panorama”, personi i akuzuar nga kryetari i Komisionit Hetimor, Taulant Balla, si sekser i Shkëlzen Berishës për ardhjen e kompanisë CEZ në Shqipëri, Kalaj u jep përgjigje të gjitha pretendimeve të ngritura rreth përfshirjes së tij në çështjen CEZ.
Ai shprehet se është kontraktuar nga kompania CEZ për të mbledhur informacione lidhur me fizibilitetin e tregut energjetik shqiptar për investime.
Kalaj shprehet se nuk ka asnjë lidhje me Shkëlzen Berishën, ndërsa me ish-kryeministrin Berisha është takuar si pjesë e delegacionit të kompanisë çeke, kur ata kanë ardhur në Tiranë.
Në lidhje me kompaninë CEZ, Kalaj shprehet se ka bashkëpunuar në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe Çekisë ku kjo kompani ushtron aktivitetin e saj.
Nga ky bashkëpunim me kompaninë çeke, Kalaj nuk mohon se ka nxjerrë fitime të ligjshme, duke paguar dhe taksa për to. Ai u përgjigjet dhe akuzave për tërheqje të parave cash nga bankat.
“Paratë i kam tërhequr nga banka për qëllime investimi në drejtime të tjera”, shprehet Kalaj për gazetën “Panorama”.
Komisioni parlamentar ju akuzon ju si sekserin e qeverisë Berisha, që “lidhi martesën” me kompaninë CEZ. Çfarë lidhjesh keni ju me çekët dhe kompaninë CEZ?
Bashkëpunimin me CEZin e kam pasur të bazuar mbi marrëdhënie kontraktuale dhe ligjore. Nuk jam sekser i askujt, por kam punuar për të sjellë CEZ-in në Shqipëri dhe për këtë kam realizuar fitimet e mia në mënyrë të rregullt dhe të ndershme duke paguar taksat.
Ju akuzoheni se në llogaritë tuaja bankare janë mbi 7 milionë euro, të cilat janë tërhequr në 2009-n në cash nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri, pak para zgjedhjeve. E mohoni një akuzë të tillë?
Paratë i kam tërhequr nga banka për qëllime investimi në drejtime të tjera.
Çfarë ju lidh me Shkëlzen Berishën dhe a jeni takuar ju me ish-kryeministrin Berisha në lidhje me çështjen CEZ?
Me Shkëlzen Berishën nuk kam asnjë lidhje. Nuk i kam premtuar askujt organizimin e takimeve me të. Me ish-kryeministrin Berisha jam takuar si pjesë e delegacionit të CEZ-it, kur ata kanë ardhur në Tiranë. E gjithë veprimtaria ime ka qenë në përputhje me ligjet e Shqipërisë dhe të Çekisë ku zhvillon aktivitetin e saj kompania CEZ.
Me çfarë statusi keni negociuar për ardhjen e CEZit në Shqipëri?
Nuk kam negociuar, por kam pasur një kontratë për të mbledhur informacionet e nevojshme për nevojat që kjo kompani kishte në Shqipëri.






