Në 3 maj të këtij viti, një aksident tragjik në zonën e ish-Kënetës në Durrës tronditi opinionin publik. 57-vjeçari Nikol Radaçi, duke drejtuar një Mercedes-Benz në gjendje të dehur, përplasi tre fëmijë që po luanin në trotuar. Dy prej tyre humbën jetën, ndërsa i treti mbeti i plagosur rëndë.
Tani, gjashtë muaj më vonë, familjarët e viktimave po përballen me një tjetër goditje: prokuroria ka kërkuar shuarjen e dy akuzave ndaj autorit në bazë të amnistisë, duke lënë në fuqi vetëm akuzën për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.
Nëna e njërit prej fëmijëve të vdekur, Marta Nikolli, nëna e Klesit, ka thyer heshtjen me një letër rrëqethëse.
“Unë që po shkruaj jam mami i Klesi Nikollit që më datë 3 maj humbi jetën në trotuar duke shijuar akulloren që kishte në dorë dhe duke shpresuar që pas akullores të luanin top me shokët e lagjes. Por fati deshi ndryshe duke ja prerë në mes të gjitha ëndrrat e tij dhe shokut të tij, sepse bisha kishte pirë aq shumë sa na i shtyp fëmijët pa mëshirë dhe na i la të shpërndarë në rrugë sikur të ishin sende dhe jo jetë fëmijësh. Ai zbriti nga makina dhe iku pa parë se çfarë ka bërë… Më mori dritën e syrit, më mori jetën, s’më la arsye për të jetuar”, shkruan midis të tjerash ajo.
Marta tregon se ngjarja ishte e paralajmëruar. “Kjo ngjarje që ka ndodhur ka qenë e paralajmëruar nga ne dy prindër dhe nga të gjithë si lagje. Ai ka qenë tip problematiku… I kemi thënë: ‘Kujdes fëmijët sepse do na bësh hatanë.’ Vërtetë e bëri.” Ajo kërkon drejtësi maksimale: “Si mundet që këtij vrasësi t’i falet ikja? Në qoftë se nuk ka qenë i pirë, atëherë do të thotë që i ka vrarë me dashje. Ai do burg përjetë… Nuk do ta fal sa të kem jetë gjakun e djalit tim Klesi. Thirrja ime për të gjithë drejtësinë e Shqipërisë është që ai të dënohet në maksimum.”
Ndërkohë, babai i fëmijës që mbeti i plagosur rëndë, Ardian Meslani, dëshmon për traumën që vazhdon të jetojë djali i tij.
“Është jashtëzakonisht në gjendje shumë të rënduar psikologjike. Në shkollë nuk shkon… Në çdo sekondë, në çdo moment ka frikë nga makinat. Jashtë nuk bëhet fjalë që dalë fare deri në shtëpi… Është izoluar në një farë mënyre”, shprehet ai.
Djali do t’i nënshtrohet edhe një operacioni tjetër në këmbë te Trauma në Tiranë. Ardiani shpreh zemërimin ndaj shuarjes së dy akuzave (drejtimi në gjendje të dehur dhe largimi nga vendi i ngjarjes): “Vetëm këtë gjë nuk prisnim… Nuk është drejtësi kjo. Nuk mund ta quaj drejtësi… Ju lutem jepni drejtësi, mos lini të bëjmë vetëdrejtësi, mos ta bëni kriminelë me zor pa qenë kriminelë.”
Në seancën e fundit mbrojtja e Radaçit ka kërkuar gjykim të shkurtuar, duke pretenduar se sasia e alkoolit ka qenë e pakët. Amnistia e miratuar në qershor dhe hyrë në fuqi në korrik ka sjellë shuarjen automatike të dy akuzave me dënim maksimal deri në tre vite, duke lënë vetëm veprën penale që parashikon dënim nga 5 deri në 20 vite burg. Seanca e radhës pritet më 16 nëntor.


