Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila, është paraqitur mëngjesin e së mërkurës në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ku ka dhënë dëshminë e saj në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshime për korrupsion zgjedhor.
Pas përfundimit të qëndrimit në SPAK, ligjvënësja e qarkut të Elbasanit ka folur për gazetarët, duke sqaruar se ishte thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes.
Mila ka deklaruar se u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve dhe ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë sa herë që prania apo dëshmia e saj të konsiderohet e nevojshme.
Në prononcimin e saj, deputetja ka komentuar edhe akuzat dhe pretendimet publike që, sipas saj, janë ngritur ndaj saj gjatë kësaj periudhe, duke i cilësuar si një fushatë të zgjatur baltosjeje.
“Ky kalvar i gjatë hedhje balte do të përfundojë. Jam person në dijeni, kam dhënë dëshminë time. Sa herë SPAK dhe organet e drejtësisë të kenë nevojë për fjalën time, do jem këtu sa herë të jetë e nevojshme, si një njeri që beson tek ligji”, është shprehur Mila.
Paraqitja e deputetes në Prokurorinë e Posaçme lidhet me një hetim për dyshime mbi korrupsionin në zgjedhje, çështje që, sipas informacioneve të raportuara, po ndiqet nga prokurori Bledar Maksuti.
Deri në këtë fazë, nga deklarimet e vetë deputetes rezulton se ajo është marrë në pyetje si person që ka dijeni për çështjen. Nuk është bërë e ditur nëse ndaj saj është ngritur ndonjë akuzë zyrtare.


