Hetimet për vdekjen e 62-vjeçarit Urim Fiku në fshatin Godvi të Bulqizës kanë marrë një tjetër drejtim, pas zbulimit të provave të reja që ngrenë dyshime mbi mënyrën se si ka ndodhur ngjarja e rëndë e 3 nëntorit.
Gjatë këqyrjes së territorit përreth banesës së viktimës, hetuesit kanë zbuluar disa gëzhoja në një distancë prej rreth 500-600 metrash nga shtëpia. Ky zbulim ka ngritur dyshimet se 62-vjeçari mund të jetë ndjekur dhe qëlluar disa herë me armë zjarri përpara se të humbiste jetën.
Sipas të dhënave paraprake, gëzhojat dyshohet se i përkasin një pistolete të tipit TT, e njëjta armë që u gjet në oborrin e banesës së familjes ditën kur u zbulua ngjarja.
Një nga pistat që po shqyrtohet është se Urim Fiku mund të jetë qëlluar fillimisht në një zonë më të largët nga shtëpia, ndërsa goditjen fatale mund ta ketë marrë pasi ka mbërritur në oborrin e banesës.
Për të verifikuar këtë dyshim, gëzhojat e sekuestruara janë dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore në Tiranë. Ekspertiza balistike pritet të përcaktojë nëse të gjitha qitjet janë kryer me të njëjtën armë.
Ndërkohë, në qendër të hetimeve mbeten bashkëshortja dhe djali i viktimës, Sadete dhe Gazmir Fiku. Të dy janë paraqitur përpara Gjykatës së Dibrës, ku kanë mohuar çdo përfshirje në vdekjen e 62-vjeçarit.
Pavarësisht deklarimeve të tyre, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për nënë e bir.
Gjatë dëshmive, të dy kanë këmbëngulur në versionin se Urim Fiku ishte sulmuar nga një kafshë e egër, që dyshohej të ishte ari. Sipas tyre, 62-vjeçari ishte kthyer në banesë i plagosur dhe në gjendje të rënduar psikologjike, përpara se të merrte një pistoletë dhe të qëllonte veten në oborr.


