Instituti i Shëndetit Publik ka identifikuar rastet e para me grip në Shqipëri, ndërsa aktualisht në vend po qarkullon virusi i tipit A(H1N1). Paralelisht, vijon të përhapet edhe COVID-19.
Situata epidemiologjike po shënon përkeqësim, me rritje të numrit të personave të prekur nga infeksionet respiratore të rrugëve të sipërme dhe të poshtme. Sipas të dhënave të raportuara nga ISHP-ja, numri i rasteve arrin në afro 11 mijë në javë.
Përhapja e virozave të shumta duket se ka shtuar interesin e qytetarëve për vaksinimin kundër gripit. Nga 280 mijë dozat e siguruara për këtë sezon, është tërhequr më shumë se 51% e tyre.
Ndërkohë, gripi dhe COVID-19 po qarkullojnë njëkohësisht edhe në vendet e Europës. Të dhënat e paraqitura tregojnë se në disa prej këtyre vendeve, infeksionet nga SARS-CoV-2 përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve.
Mbetet për t’u parë nëse virusi i gripit që po qarkullon këtë sezon paraqet ndryshime në simptomatologji krahasuar me variantet e mëparshme.


