Qeveria ka miratuar një fond prej 5 milionë lekësh për të mbuluar shpenzimet e mjekimit të 28-vjeçarit Erion Vishkulli, i cili u plagos në sy gjatë protestës së 24 shtatorit në Tiranë.
Vendimi vjen në të njëjtën ditë kur i riu iu nënshtrua me sukses një ndërhyrjeje kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë.
Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, fondi prej 5 milionë lekësh do të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa pagesa do të kryhet pas paraqitjes së faturave përkatëse nga institucioni ku po kurohet 28-vjeçari.
Për zbatimin e vendimit janë ngarkuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.
Erion Vishkulli u plagos gjatë protestës së 24 shtatorit dhe fillimisht mori ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë, përpara se të dërgohej për trajtim të specializuar në Itali.
Prokuroria e Tiranës ka njoftuar më herët se trupi i huaj i nxjerrë nga syri do të sekuestrohet për ekzaminim, për të përcaktuar natyrën e tij, pasi dyshimet fillestare kanë qenë se bëhej fjalë për një plumb gome.
Vendimi i plotë:
“V E N D I M PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË Z. ERION VISHKULLI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.36, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2026”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të z. Erion Vishkulli, në masën 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
- Ky fond përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
- Pagesa bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
- Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I”.


